25 vjet nga tragjedia e Otrantos/ Beteja e pambaruar me drejtësinë italiane të familjarëve të 24 të humburve në fund të detit Adriatik

Kanë kaluar 25 vite nga tragjedia e Otrantos. Ngjarja e ndodhur ne 28 mars 1997, aty ku humbën jeten 81 persona ,teksa trupat e 24 viktimave nuk u gjetën kurrë. Në bordin e anijes”Katri i Rades” nisur nga brigjet e Vlorës ishin 115 persona nga të cilët vetëm 61 mundën të mbijetonin. Anija “Katri i Rades” u godit nga anija italiane “Sibila” në ngushticën e Otrantos, ndërsa edhe sot pas 25 vitesh familjarët janë ende në kërkim të drejtësisë.

Varret janë …

Por jo të 81 të mbyturit gjenden aty…

"Ne shkojmë te varrezat se u kemi bërë nga një varrezë bosh" tregon Vitore Tahiraj.

Trupat e 24 shqiptarëve të tjerë janë tretur në fund të detit Adriatik.

Vendin e tyre e kanë zënë një grumbull rrobash.

"Varreza bosh që i kemi mbushur me rroba.Atje vetëm emrat kanë.Vemë lulet, rrimë e më pas ikim në shtëpi.Ose shkojmë edhe buzë detit, po na lejuan" thotë bashkëshortja e një prej të zhdukurve në tragjedinë e Otrantos.

Kjo është historia e një prej tragjedive më të rënda të emigracionit shqiptar në 30 vitet e fundit që ndodhi në kulmin e revoltave dhe zhgënjimeve të një populli të tërë.

MARS 1997

Gënjeshtra e formulës magjike që ngrysesh i varfër dhe gdhihesh i pasur shkaktoi mllefe dhe shpërfytyrim.  Njerëzit depozituan afro 1.2 miliardë dollar në 25 firmat piramidale.  Pothuajse të gjithë drejtuesit e këtyre firmave nuk e kishin nivelin e duhur arsimor.

Firma “Sudja”

Kjo firmë u krijua në 29 mars 1993, nga Maksude Kadëna, një rome që kishte punuar në fabrikën e këpucëve.

Firma “VEFA”

Firma piramidale “VEFA Holding” ishte firma kryesore piramidale. Ajo u krijua në 29 mars të vitit 1994 nga Vehbi Alimuça i cili në vitin 1990 merrej me mallra industriale me shumicë dhe artikuj të tjerë për tregti.

Firma “Gjallica”

Firma Gjallica u krijua nga 3 ish-efektivë të Sigurimit të Shtetit, me origjinë nga Kukësi. Presidente e kësaj firme ishte Shemsie Kadria.

Firma “Demokracia Popullore-Xhaferri”

Kjo firmë u krijua në vitin 1995. Drejtuesi i saj, Rrapush Xhaferri me nofkën “Gjenerali”.

Firma “Populli”

Kjo firmë u krijua më 30 mars 1996. Presidenti i saj ishte Bashkim Driza, ish-agjent i Sigurimit të Shtetit.

Gjatë të ashtëquajturës “parajsë” 3 vjeçare ekonomike-financiare shitën shtëpi e gjithçka mundën që të dyfishonin të ardhurat pa punuar. Ata që duhet të flisnin , heshtën.

Mbyllja e firmave piramidale, shkaktoi hapjen e depove ushtarake dhe armatosjen e popullit. Shqiptarët filluan të plaçkisnin e luftonin njëri-tjetrin.

Këtë panoramë u përpoqën të lenë pas krahëve 115 shqiptarët  që shpresën e kishin varur në anën tjetër të detit, në Itali.

28 MARS 1997

Që në mëngjes televizioni italian lajmëroi se marrëveshja ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë për bllokim detar është antikushtetuese. Prej një jave, Italia kishte dërguar flotën ushtarake në kanalin e Otrantos për të ndaluar shqiptarët që po arratiseshin nga vendi i tyre i përfshirë në luftë civile.

Por 115 shqiptarët besuan se duke qenë kaq shumë në numër nuk do t’i ndalnin që të arrinin në bregun tjetër.

Një ditë më parë një grup trafikantësh kishin rrëmbyer nga Saranda mjetin “Katri i Radës” dhe e sollën atë në Vlorë. Ky mjet detar ishte në inventar të Forcave të Mbrojtjes Shqiptare.

Nisja u bë në orën 15:00 të 28 marsit të 25 viteve më parë.

Krenar Xhavara, një prej të mbijetuarëve të tragjedisë së Otrantos ka sjellë në vitin 2017 dëshminë e tij për atë ditë.

"Ishte një ditë e bukur më 28 mars të vitit 1997. U nisëm nga Moli Zero që quhet, me anijen "Katri i Radës", rreth orës 3 të pasdites."

Kapiten i anijes “Katri i Radës” (A-451) ishte Namik Xhaferri. Sapo “Katri i Radës” (A-451) doli nga Kanali Jugor i Gjirit të Vlorës u identifikua nga fregata italiane “ZIFERO” (F 577).

"Duke ecur drejt Kanalit të Otrantos, na ndoqi anija “ZIFERO” (F 577) për më shumë se një orë. Na komunikuan me radio: Klandestinë, kthehuni mbrapsht! Ne vazhduam pasi kishim venë edhe flamurin e bardhë, domethënë ishim njerëz të paqes." – vazhdon rrëfimin e tij Krenar Xhavara

Kapiteni i fregatës “ZIFERO (F-577) i bëri disa thirrje “Katrit të Radës” për t’u kthyer mbrapa, por thirrjet ishin të pasuksesshme. Në kuvertën e “Katrit të Radës” dalloheshin rreth 30 vetë.

Në pamundësi të ndalimit të “Katrit të Radës, fregata “ZIFERO” (F-577) ia kaloi detyrën korvetës “SIBILA” (F-588). Tashmë “Katri i Radës” kishte mbërritur në mes të Kanalit të Otrantos.

"Duke ecur filloi manovrat manovrat majtas, djathtas, jo të rrezikshme anija “ZIFERO”. Më pas duket në sfond një anije tjetër që e morëm vesh më pas që quhej "Sibila". Po afrohej nata. Ishte ora rreth 17.30.

Pas ndjekjes që na bëri "Zifero" largohet, kishte mbi vete edhe një helikopter. Më pas na afrohet anija "Sibila"."- tregon i mbijetuari Xhavara.

Veprimet e komandantit të korvetës “SIBILA” (F-588), kapiten i rangut të tretë Fabrizio Laudadio, u bënë agresive. Ai bëri një manovër kërcënuese duke iu afruar “Katrit të Radës” më shumë se normat e lejuara.

"Duke krijuar edhe dallgë që ta batonte anijen tonë. Afrohej me manovra të rrezikshme. Gjatë ditës prezantuam edhe fëmijët që t'i shikonte anija "Sibila" që ne jemi paqësorë, nuk jemi kriminelë brenda në anije."- dëshmon Krenar Xhavara.

Afrimi ishte fatal dhe “Katri i Radës” u përmbys dhe mbyt menjëherë.

"Për një kohë të shkurtër, u tha që ishin mbytur. "Katri i Radës" u mbyt. Edhe dhanë emrat e të gjithëve. Komshinjtë që i kishin dëgjuar, kishin ardhur pas derës tonë dhe rrinin në qetësi që të mos i dëgjonim. Mua më ishin mbledhur fëmijët në krah dhe rrinim e nuk bënim asnjë zhurmë" tregon Vitore Tahiraj për ditën kur sapo kishte filluar shpërndarja e lajmit të mbytjes së anijes "Katri i Radës", brenda së cilit ishte edhe bashkëshorti i saj.

Ndërsa Krenar Xhavara jep detaje të ngjarjes:

"Anija italiane kishte fikur prozhektorin që na vëzhgonte. Kur kemi kthyer kokën mbrapa shikojmë malin e anijes italiane. "Ouuu"- uluritëm. Na goditi. I bëri një gropë rreth 50 cm anijes në fund. Anija u batua. Për 8 minuta qëndroi e batuar.

Anija italiane me pajisjen moderne që kishte, duhet ta ganxhonte anijen tonë dhe mos ta linte në shkonte në fund të detit.  Duke notuar unë kapem pas një litari. Ata hodhën një rrjetë pasi kishte mbaruar çdo gjë. 34 veta mundëm të shpëtonim. 2 femra dhe të tjerët ishin meshkuj. Unë humba gruan, fëmijën. Vëllai im humbi gruan edhe tre fëmijët. Një masakër"

Korveta “SIBILA” (F-588) kishte një tonazh prej 1300 ton, kurse “Katri i Radës” kishte një tonazh prej vetëm 40 ton.

"Unë isha në pjesën e pasme të anijes me tre katër veta."- thotë Xhavara.

Mbas mbytjes së “Katrit të Radës, ndihma e korvetës “SIBILA”(F-588) nuk ishte e menjëhershme. Nga 115 veta që gjendeshin në bord, 34 vetë mundën të mbijetonin dhe u transferuan në Brindisi.

Nga goditja fatale humbën jetën 81 qytetarë shqiptarë dhe vetëm 61 mundën të mbijetojnë.

Në 19 tetor 1997, pas një operacioni të vështirë 4-ditor, anija e specializuar “Performer”, nxorri nga 823 metra thellësi anijen “Kateri i Radës” (A-451). Brenda në anije u gjenën 58 trupa, kryesisht gra e fëmijë.

24 vetë nga kjo tragjedi ende janë të humbur. Një prej tyre është edhe bashkëshorti i Vitores, Bektash Tahiraj.

"Trupi i bashkëshortit tim nuk gjet kurrë"- thotë Vitorja.

Sapo të shpëtuarit mbërritën në Brindizi, policia i mori dhe nuk lejoi asnjë gazetar të komunikonte më to.

"Ne në ato momente ishim të shkatërruar. Të shikoje një masakër ndaj njerëzve të pafajshëm që kërkonin mbrojtje e që në fund gjetën një fund tragjik"- thotë Krenar Xhavara.

Marina Luftarake Italiane menjëherë, në datën 29 mars 1997, nisi një hetim të brendshëm, ku konkludoi se kontakti mes anijeve “Sibila” dhe “Katri i Radës”, ka qenë një nga shkaqet e mbytjes.

Në 17 nëntor 1998 Prokuroria e Brindisit përfundoi hetimin për këtë tragjedi. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Shkallës së Parë të Brindisit vendosi që Namik Xhaferi, drejtuesi i anijeas “Katri i Radës” të dënohet me katër vjet heqje lirie, ndërsa kapiteni i rangut të tretë Fabrizio Laudadio, komandant i korvetës “SIBILA” (F-588) të dënohet me tre vjet heqje lirie. Në vitin 2011 dënimi i tyre u ulën respektivisht në tre dhe dy vjet.

"Vazhdonte gjyqi. Në tre seancat e para, mua dhe 23 familjeve të tjera nuk na lejonin të futeshim brenda. Se nuk i njihnin të humburit tanë. Pasi u bë gjyqi në Vlorë, i njohën emrat e 24 të mbyturëve që kishin qenë në anije. Edhe Parlamenti shqiptar i njohu. Pas kësaj u lejuam të ndiqnim seancat gjyqësore. Sot pas 25 vjetësh, për ta u kujtuan vetëm familjarët, askush tjetër. Por ne nuk do ta lemë me kaq, do t'i shkojmë deri në fund këtij procesi" shprehet Vitore Tahiraj.

Në 29 janar 2012 në qytetin e Otrantos u inagurua monumenti i emigracionit, i krijuar nga skulptori grek Kostas Varotsos, me mbistrukturën e anijes shqiptare“Katri i Radës (A-451) . Të pranishëm ishin dhe autoritetet e Marinës Luftarake Italiane. Dy pjesë të anijes “Katri i Radës”, u kthyen në Vlorë, ku artistët shqiptare Arta Ngucaj dhe Arben Beqiraj, realizuan një vepër arti në një shesh të qytetit, pranë portit.

Në vitin 1998 trupat e të mbyturve në Tragjedinë e Otrantos u sollën në Vlorë dhe u varrosën me një ceremoni shtetërore në Varrezat e Qytetit të Vlorës.

Kemi kërkuar tre a katër muaj, tregon një prej ushtarakëve të kohës. Por ato mundësi kishte shteti shqiptar, thotë ai.

Për familjarët, drejtësia nuk është venë në vend dhe për 81 jetët njerëzore të humbura sot pas 25 vitesh nuk mungon vetëm nderimi i tyre por edhe lulet mbi det.

Peshkatarët që janë pothuajse të përhershëm në bregun e Portit të Vlorës tregojnë në 25 vjetorin e përkujtimit të tragjedisë së Otrantos është parë tek-tuk ndonjë familjar, ndryshe nga vitet e mëparshme.

J.GJ./Sh.Sh/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Itali/ Zbulohet 'streha e kokainës', gjenden 76 kg drogë, pakot dorëzoheshin me furgon! Mes 2 të arrestuarve 1 shqiptar

Itali/ Zbulohet 'streha e kokainës', gjenden 76 kg drogë, pakot dorëzoheshin me furgon! Mes 2 të arrestuarve 1 shqiptar