TIRANE- Një prej kryeredaktorëve më jetëgjatë të “Rilindjes Demokratike”, organi zyrtar i Partisë Demokratike, Astrit Patozi, ka munguar dje në ceremoninë e 25 vjetorit të themelimit të gazetës së parë të lirë. Përmes një ceremonie të veçantë, themelimi i “RD” u kremtua nga figura të hershme të gazetës, gazetarë, drejtues të mediave, deputetë të PD si dhe nga lideri historik, Sali Berisha dhe kryetari i PD, Lulzim Basha.

Pavarësisht numrit të lartë të të ftuarve, ra në sy mungesa e Patozit, i cili për disa vite me radhë ka qenë kryeredaktor i “RD”, përpara se të niste karrierën e tij politike si deputet dhe kryetar grupi i PD. Vlen të theksohet fakti se Patozi mungon për të dytin vit radhazi në festën e “RD”. Krahas Patozit, dje ra në sy gjithashtu edhe mungesa e Besnik Mustafajt, ish themelues i “RD” dhe ish ministër i Jashtëm.