Një valë e rrezikshme të nxehti ka prishur festimet e 4 Korrikut në një pjesë të madhe të SHBA-së qendrore dhe lindore të premten, duke detyruar autoritetet të anulojnë ose shtyjnë dhjetëra parada, koncerte dhe shfaqje me fishekzjarre, ndërsa vendi shënonte 250-vjetorin e Pavarësisë.

Panairi i Madh Amerikan në National Mall në Uashington, një nga aktivitetet kryesore të përpjekjeve të Presidentit Donald Trump për të shënuar 250-vjetorin e vendit, ishte ndër ngjarjet e prekura nga i nxehti përvëlues, duke u mbyllur përkohësisht pasditen e së premtes, ndërsa temperaturat arritën në 101 gradë Fahrenheit (38 gradë Celsius).

Organizatorët thanë se panairi pritej të rihapej në orën 17:00, nëse kushtet e motit do ta lejonin, me ndryshime si vendosja e tendave ftohëse dhe stacioneve me spërkatje uji.

Temperaturat rekord u përhapën në lindje të SHBA-së nga rajoni i Midwest më herët gjatë kësaj jave dhe më shumë se 185 milionë njerëz kanë marrë paralajmërime për vapën të premten, sipas Shërbimit Kombëtar të Motit, ndërsa indeksi i nxehtësisë mund të arrinte deri në 115 gradë Fahrenheit (46 gradë Celsius) në shumë pjesë të vendit.

Meteorologët dhe zyrtarët qeveritarë kanë paralajmëruar se vala e të nxehtit mund të rezultojë vdekjeprurëse, duke u bërë thirrje amerikanëve që festojnë fundjavën e 4 Korrikut në ambiente të hapura të qëndrojnë të hidratuar, të kërkojnë hije dhe të jenë të vëmendshëm ndaj shenjave të problemeve shëndetësore të shkaktuara nga i nxehti gjatë tubimeve dhe aktiviteteve publike.

Anulime aktivitetesh janë raportuar në të paktën shtatë shtete, përfshirë një paradë të madhe të Ditës së Pavarësisë në Filadelfia, si edhe aktivitete në Takoma Park, Maryland, dhe Loudoun County, Virginia.