Një 25-vjeçare me shtetësi angleze është gjetur e pajetë mesditën e kësaj të enjteje në apartamentin që kishte marrë me qira në Durrës, ndërsa pranë saj ndodhej vajza rreth 2 vjeçe.

E reja kishte mbërritur në qytetin bregdetar tre ditë më parë si turiste së bashku me fëmijën e saj. Ajo kishte prenotuar përmes platformës Airbnb një apartament në një pallat pranë Muzeut Arkeologjik, në rrugën "Taulantia", për një qëndrim treditor.

Ka qenë pastruesja e apartamentit ajo që, pasi shkoi për të kryer pastrimin, e gjeti 25-vjeçaren pa shenja jete në shtrat. Në banesë ndodhej edhe vajza e saj e vogël, e cila ishte në gjendje të mirë shëndetësore. Pastruesja njoftoi menjëherë Urgjencën, e cila më pas lajmëroi policinë.

Sipas policisë, rreth orës 12:50, shërbimi i Urgjencës së Durrësit konstatoi pa shenja jete shtetasen E. S., 25 vjeçe. Nga këqyrja paraprake nuk janë konstatuar shenja dhune në trupin e saj, ndërsa dyshohet se vdekja mund të ketë ardhur nga shkaqe natyrale. Megjithatë, pritet të kryhen të gjitha procedurat mjeko-ligjore për të përcaktuar shkakun e saktë të humbjes së jetës.

Ndërkohë, policia ka njoftuar shërbimet sociale, të cilat po kujdesen për vajzën 2-vjeçare, si dhe ambasadën britanike, për të vënë në dijeni familjarët e së resë dhe për të vijuar procedurat sipas ligjit.