28 prilli, Dita Botërore e sigurisë dhe shëndetit në punë

/ATSH-Z.Tosku/- 28 prilli është Dita Botërore e sigurisë dhe shëndetit në punë. Kjo ditë synon të ndërgjegjësojë dhe të përqëndrojë vëmendjen ndërkombëtare mbi tendencat e reja në fushën e sigurisë dhe shëndetit në punë si dhe rëndësinë e problemeve të lidhura me lëndimet, sëmundjet dhe vdekjet në mbarë botën.
Gjithashtu, 28 prilli është një ditë, në të cilën sindikatat në botë përkujtojnë dhe nderojnë kujtimin e viktimave të aksidenteve dhe sëmundjeve në punë.
Dita Botërore për sigurinë dhe shëndetin në punë është një pjesë integrale e Strategjisë Globale mbi Sigurinë dhe Shëndetin në Punë e drejtuar nga ILO, e cila promovon krijimin e një sigurie globale parandaluese dhe të një kulture shëndetësore me përfshirjen e të gjithë aktorëve. Në këtë datë, në shumë vende të botës, autoritetet kombëtare, sindikatat, organizatat e sigurisë dhe të shëndetit në punë dhe punëdhënësit, organizojnë aktivitete të shumta.
Ndërkaq, kreu i Inspektoriatit të Punës në Shqipëri Dritan Ylli, ishte i pranishëm dje, në konferencën Europiane për sigurinë dhe shëndetin në punë, që u  zhvillua në Riga të Letonisë.
Ja disa shpjegime nga Instituti i Shëndetit Publik se çfarë është siguria dhe shëndeti në punë:
Çfarë është siguria dhe shëndeti në punë?
Siguria dhe shëndeti në punë janë masat parandaluese të marra që kanë si synim përmirësimin e kushteve gjatë procesit të punës, ruajtjen e jetës, integritetin e shëndetit, mbrojtjen fizike dhe mendore të punëmarrësve që përfshihen në procesin e prodhimit.
Objektivat e shëndetit në punë synojnë:
1- Në promovimin dhe mirëmbajtjen në nivel të lartë të mirëqënies fizike, mendore dhe sociale të punonjësve në të gjithë profesionet.
2- Në parandalimin e sëmundjeve që vijnë si pasojë e kushteve të punës së punonjësve.
3- Në mbrojtjen e punëtorëve nga rreziqet që rrjedhin nga faktorë të dëmshëm për shëndetin në lidhje me punën.
4- Në dhënien e një pune të përshtatshme për çdo punëmarrës, që i përshtatet aftësive të tij fiziologjike dhe psikologjike "Përshtatje e vendit të punës me punëmarrësin dhe punëdhënësin me vendin e tij të punës"
Përse janë të rëndësishme siguria dhe shëndeti në punë?
Sipas statistikave çdo vit në Bashkimin Europian, më shumë se 5500 njerëz humbin jetën e tyre si pasojë e aksidenteve në vendin e punës. Është shumë e vështirë që të përcaktosh ndikimin e sëmundjeve profesionale ndaj shëndetit dhe për këtë çështje nuk ka asnjë konsensus të të dhënave. Megjithatë, vlerësimet e Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO) sugjerojnë se 159 000 njerëz në BE çdo vit vdesin si rezultat i sëmundjeve profesionale.
Kompani të ndryshme në vende të BE-së, humbin rreth 143 milionë ditë pune çdo vit nga aksidentet në punë. Vlerësimet janë të ndryshme, por aksidente të tilla dhe shëndeti i keq i kushtojnë ekonomisë së BE-së të paktën 490 miliard euro në vit. Parashikimi i risqeve, zbatimi i masave efektive të sigurisë dhe ndjekja në vazhdimësi me rigorozitet e tyre janë të rëndësishme për reduktimin e këtyre shifrave (EU-OSHA Vende pune të shëndetshme 2012-13).
Çdo vit, më shumë se dy milion gra dhe burra vdesin si rezultat i aksidenteve dhe sëmundjeve të lidhura me vendin e punës. Punëtorët vuajnë afërsisht një humbje prej 270 milion euro çdo vit të lidhura më aksidentet dhe 160,000,000 të tjera të lidhura me incidentet dhe sëmundjet po në vendin e punës.
Substanca të rrezikshme vrasin 440.000 punëtorë në vit - asbesti merr 100.000 jetë në vit. Një punëtor vdes çdo 15 sekonda në mbarë botën. 6.000 punëtorë vdesin çdo ditë. Më shumë njerëz vdesin në vendin e punës krahasuar me ata të vrarë në luftëra. "Është e pamundur që të arrihet siguri absolute në punë. Është jashtëzakonisht e rëndësishme të parandalohet"
"Parandalimi është më i mirë se kurimi"
Parandalimi është më mirë se kurimi, parandalimi është themeli i qasjes europiane ndaj problemeve të sigurisë dhe të shëndetit në punë. Në praktikë, kjo do të thotë që të analizohen proceset e punës për të identifikuar risqet afatgjata dhe afatshkurtëra, dhe më pas të veprohet për t'i shmangur ose për t'i zbutur ato sa më shumë të jetë e mundur. Parandalimi i dëmtimeve dhe sëmundjeve nga rreziqet e shëndetit në punë bazohet në dy koncepte bazë:
1- Mjedisi në punë dhe teknologjia prodhuesve duhet të projektohen në mënyrë që rreziqet për shëndetin të evidentohen ose minimizohen në minimum.
2- Punonjësit duhet të njohin rreziqet në vendin e punës, të trajtohen, edukohen, ndërgjegjësohen që të sillen në mënyrë të sigurt e të përdorin pajisjet mbrojtëse personale në punë. Përvoja e shumë vendeve të botës ka treguar se fokusimi në përmirësimin e mjedisit të punës dhe shmangia e rreziqeve në punë është më tepër se sa thjeshtë t'u thuash punonjësve që të jenë të kujdesshëm.

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 21 Janar, 08:38

    14 vite nga vrasja e 4 protestuesve, do bëjë SPAK drejtësi për 21 janarin?



×

Lajmi i fundit

Tragjike në Itali, 2 të rinj humbin jetën në aksident rrugor, njeri prej tyre një 18-vjeçar shqiptar