Lindita Lazaj nuk i mban lotët teksa rrëfen vuajtjet e të birit kur shembet në tokë nga krizat epileptike.

“Mi kanë prerë pensionin. Nuk kam çfarë t’i jap. Më ikën fëmija nga duart. Nuk e duroj dot”, tregon Lindita.

Familja me dy të moshuar dhe djalin 28-vjeçar Vasian Lazaj që vuan nga epilepsia jetojnë në fshatin Picar të Selenicës. Në kushte tepër të vështira ekonomike ata e mbajnë frymën me pensionin e kryefamiljarit, ndërsa Lindita Lazaj shprehet se nuk i ka dalë pensioni i pleqërisë për shkak të mungesës së dokumentacionit.

“E kam të sëmurë. Mi kanë prerë kempin. Ilaçe nuk ka, nuk kam ushqim. Më ra mbrëmë aty me zor e kam ngritur. Më dhembin krahët. Sa vuaj me këtë fëmijë, shpirti im e di”, tha nëna. 

Sikur të mos mjaftonin problemet, në muajin qershor të këtij viti, Shërbimi Social i Vlorës i ka hequr KEMP-in pa asnjë shpjegim 28-vjeçarit Vasian Lazaj.

“Kempi më është hequr që në qershor të vitit 2021. Deri më sot jam në gjendje të rëndë. Dridhje natën. Jam interesuar tek shërbimi social dhe më kanë thënë se janë më lart. Kërkoj që të më vije kempi që merrja”, tha djali.

Gjendja shëndetësore e 28-vjeçarit me epilepsi po rëndohet për shkak të pamundësisë për të siguruar ilaçet.

Përmes mikrofonit të Report Tv, Vasian Lazaj kërkon nga Instituti i Sigurimeve dhe Shërbimi Social t'i lidhin pensionin e plotë të invaliditetit.