Përkujtohet këtë të shtunë në qytetin e Vlorës 29-vjetori i Tragjedisë së Otrantos. Familjarë të viktimave, përfaqësues të pushtetit si dhe qytetarë të Vlorës kanë përkujtuar një prej tragjedive më të rënda, atë të Otrantos, ku humbën jetën 81 viktima. 81 karrige të lëna bosh si një simbol për ata që humbën jetën, ndërsa buqeta me lule janë hedhur në det për të përkujtuar një nga ngjarjet më të rënda.
Me iniciativë të ministres së shtetit për marrëdhëniet me parlamentin dhe deputetes së qarkut të Vlorës, Erjona Ismaili, 81 karrige të lëna bosh në buzë të detit simbolizonin viktimat e kësaj tragjedie, si dhe një lule e hedhur në det, në përkujtim të gjithë atyre që humbën jetën.
Ministrja Ismaili thotë se kjo është një ngjarje që qytetit i dhemb, por harresa dhemb më shumë se ngjarja, ndaj është tepër e rëndësishme që të përkujtohet çdo vit. Sipas Ismailit, ajo që mund të bëhet sot është të garantohet që të mos përsëriten më tragjedi të tilla.
“Për këdo, kjo tragjedi ka lënë një shenjë që as nuk zhbëhet e as nuk zbehet. Do ti përkujtojmë çdo vit. Të paharruar qofshi. Ajo që mund të bëjmë sot është që të mos përsëriten më tragjedi të tilla”, tha Ismaili.
Kryetarja e Bashkisë Vlorë, Brunilda Mersini, e ka cilësuar një moment reflektimi që duhet të përkujtohet, pasi harresa është më e dhimbshme.
“Duke ecur, dhimbja eci bashkë me ne. Gjithmonë do jetë e vështirë të flasësh për tragjedinë e Otrantos”, tha Mersini.
Për familjarët e viktimave të Tragjedisë së Otrantos, kjo tragjedi është krijuar me dashje. Sipas tyre, familjarët ende përballen me dhunë psikologjike, pasi janë lodhur në kërkim të drejtësisë. Sipas familjarëve, vendimi i gjykatës italiane, pavarësisht se ka pasur prova, ka qenë i padrejtë.
“Kjo tragjedi, është e krijuar me dashje. Që ka rënduar dhe çdo vit është rënduar dhe më shumë. Sot familjarët përballen me një dhunë psikologjike, janë lodhur. Vendimi i gjykatës Italiane ka qenë i padrejtë, i ka goditur dhe njëherë. Gjyqi është mbyllur, por nuk mbyllet një krim njerëzor”, tha njëra prej familjarëve të viktimave.
“Ata për ne do të mbeten të paharruar. Varrezat i bëri shteti atëherë tani i kanë lënë në harresë”, tha një tjetër familjare.
Më 28 mars 1997, anija shqiptare me 142 persona në bord u përmbys nga anija italiane Sibila në kanalin e Otrantos, ku humbën jetën 81 persona, të cilët shpresonin se do të krijonin një jetë më të mirë në Itali pas trazirave që kishin prekur vendin tonë. Mes viktimave, ishin dhe fëmijë nga 3 muajsh deri në moshën 69 vjeç.
Komente












Jepini voten saluut qe te beje nje Otrant te dyte .
Përgjigju