VLORE- Prej më shumë se një jave, fadromat dhe kamionët kanë gërryer kodrën në fshatin Mifol, në njësinë vendore të Novoseles. Kompania “2A Group”, e cila është aksionere në minorancë e shoqërisë koncensionare që po ndërton aeroportin e ri të Vlorës ka marrë dherat nga kodra e Mifolit për mbushjen e sipërfaqes në kantierin e aeroportit. Report Tv ndoqi nga e hena e deri të merkuren itenerarin e kamionëve, që u mbushen në Milof dhe u shkarkuan në Akerni.
Ndërsa gjatë ditës së sotme (e enjte) konstatojmë se punimet janë ndërprerë. Burimet nga IKMT-ja e Vlorës dhanë se gjatë kontrollit konstatuan se kompania “2 A Group” nuk dispononte ‘Vendim për Ndikimin në Mjedis’, ndaj vendosi pezullim të punimeve dhe gjobë ndaj saj. Pamjet e sotme e faktojnë pezullimin e punimeve, por ende nuk dihet si ka vepruar kompania pa leje nga institucionet?! Mbi te gjitha si do të rikuperohet dëmi?!
Për banorët e zonës Kristaq Lala dhe Piro Hoxhara, kjo është masakër mjedisore, pasi është dëmtuar një ndër zonat më të bukura në fshat, e mbjellë me pemë e ullishte.
“Kane marrë me tonelata me dhera dhe i çojnë në aeroport. Këtu s’ka asnjë tabelë, askush nuk jep shpjegim për punimet. Dëmi është i madh”, thonë ata.
Ndërsa banori Ilia Mocka tha se ka depozituar kallëzim.
“Këtu një pjesë e tokës është e shtetit, një pjesë është e jona se e kemi marrë me ligjin 7501. Kompania e aeroportit erdhi hyri këtu pa leje. Kjo quhet grabitje! Kam bërë dhe kallëzim në polici”, thekson ai.
Një dokument që Report TV disponon, sugjeron se kodra është përcaktuar si vend për ndërtimin e varrezave të Mifolit. Ky vendim është marrë në vitin 2014 dhe është firmosur nga Këshilli i Komunës Novoselë, përpara reformës territoriale.
Bashkia e Vlorës dhe kompania “2A Group” nuk kanë kthyer përgjigje ndaj kërkesave te Report tv për informacion. E vetmja që reagoi është Prefektura, e cila deklaroi se i është drejtuar me shkresa zyrtare Bashkisë, IKMT-së dhe Komisariatit të Policisë.
Deklarata e plotë Prefektures së Vlores, në pergjigje te kërkesës së Report TV:
Në mbështetje të Ligjit nr. 107/2016 “Për Prefektin e Qarkut”, të ndryshuar, ligjit 119/2014 “Për të drejtën e informimit”, si dhe në vijim të kërkesës suaj, ju informojmë se nga monitorimi i kryer në fshatin Mifol u konstatua prania e disa mjeteve të rënda (ekskavatorë/skavatorë, makina të rënda), të cilat në momentin e verifikimit ndodheshin në gjendje të fikur dhe pa aktivitet pune.
Në lidhje me këtë situatë, u komunikua me telefon Kryetari i fshatit Mifol, z. Kastriot Çobo, dhe u realizua një takim me të, gjatë të cilit u kërkua informacion mbi aktivitetin që kryejnë këto mjete në territorin e fshatit. Sipas deklarimit të Kryetarit të fshatit, mjetet i përkasin firmës ndërtuese të Aeroportit të Vlorës dhe materiali i nxjerrë transportohet për nevojat e këtij projekti.
Në vijim të kësaj situate, Prefekti i Qarkut Vlorë i është drejtuar Bashkisë Vlorë me shkresë zyrtare, me nr. 184 prot., datë 28.01.2026, gjithashtu Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë dhe IKMT Vlorë, për tu kërkuar informacion më të detajuar dhe të dokumentuar lidhur me këtë çështje.
Komente













MIRE E KANE BERE KUSH I KONTROLLON KETO LAMASHA
Përgjigju