Kur duhen edhe 3 ditë të mbahet protesta e lajmëruar e opozitës të hënën më 22 dhjetor, mësohet se Sali Berisha ka vendosur të largojë Ervin Salianjin nga posti i drejtuesit politik në Njësinë Administrarive numër 6, në Tiranë

Por, Partia Demokratike mohon që Salianji të ketë pasur një detyrë të tillë, pasi sipas saj drejtues politik në kryeqytet gjatë fushatës për zgjedhjet e parakohshne për Bashkinë Tiranë ka qenë Belind Këlliçi, ndërsa ish-deputeti thjeshtë u delegua për fushatën në Njësinë 6.

Më tej selia blu sqaron se të deleguarit u tërhoqën pasi zgjedhjet e parakohshme për kryebashkiak të Tiranës nuk u zhvilluan.

Sidoqoftë, ashtu si Berisha, edhe në reagimin e Partisë Demokratike thuhet se "Salianji me aktivitetin e Elbasanit të realizuar nga Suel Çela është vetëpërjashtuar".

"Nuk ka qenë drejtues politik. Drejtues politik në Tiranë ka qenë Belind Kellici. Ai ishte i deleguar për fushatën. Fushata u ndërpre dhe të deleguarit për fushatën i tërhoqëm. Por, siç e dini, Salianji me aktivitetin e Elbasanit të realizuar nga Suel Cela është vetëpërjashtuar",- thuhet në reagimin e PD-së.

Reagimi i Partisë Demokratike është kontradiktor me një deklaratë të bërë nga kryedemokrati më 4 dhjetor para Kuvendit, ku tha se Salianji është i ngarkuar të zhvillojë analizën elektorale të partisë në Kombinat, zonë që përfshihet në Njësinë numër 6.

Kjo masë e ndërmarrë ndaj Salianjit duket se është hapi i parë i planit të Berishës për të eliminuar politikisht brenda partisë ish-deputetin, pasi ky i fundit ka nisur Foltoren e tij me demokratë të zhgënjyer, të irrituar e të lodhur nga lidershipi dhe kupola e PD-së. Deri më tani, Foltorja e Salianjit ka mbledhur simpatizantë dhe anëtarë të strukturave të Partisë Demokratike në Durrës, Gjirokastër dhe Elbasan.

Ervin Salianji ka qenë aktiv në Njësinë 6, veçanërisht në zonën e Kombinatit, ku takimet e zhvilluara nga ai me strukturat dhe simpatizantët e PD-së janë karakterizuar nga pjesëmarrje e gjerë dhe një angazhim i dukshëm i të rinjve.