Ende ka tym në rrënojat që la pas zjarri i mbrëmjes së 8 janarit në magazinat në tregun industrial ish-Uzina Dinamo, në rrugën “5 Maji” në Tiranë. Gjithçka e shkrumbuar dhe dëmi miliona euro.

Ende tym në ambientet e ish Uzinës Dinamo
Këtë të diele të 11 janarit, vendin e tregtarëve e kanë zënë fadroma dhe punonjësit e zjarrfikëseve që janë ende në vendngjarje.Zjarri, nisi në një magazinë, dhe u përhap më tej me shpejtësi në të gjithë Kapanonin B, duke bërë që brenda 3 orëve të shkrumbonte atë, dhe të depërtonte edhe tek Kapanoni A.

Ky është korridori që ndante 2 kapanonet. Ndoshta siç thonë tregtarët jashtë kamerave zjarri nuk do ta kishte shkatërruar siç ndodhi kapanonin A nëse korridori ndërmjet 2 kapanoneve nuk do të ishte i mbushur me mallra.

Korridori që ndante dy kapanonet
Flitet për rreth 100 biznese të prekura, malli i të cilave u kthye në shkrumb e hi, në gati 10 mijë metra katror sipërfaqe që tanimë janë kthyer në gërmadhë masive hiri. Një shkëndijë elektrike, në njërin prej kapanoneve, ishte zanafilla e flakëve masive sipas policisë.
Zjarri masiv u shfaq rreth orës 19:00 të së enjtes. U deshën vetëm pak minuta që të përfshinte sipërfaqe të tëra të magazinave. Në vendngjarje, përveç zjarrfikësve të Tiranës mbërritën edhe ato të Kamzës, Vorës dhe Elbasanit, të cilat luftuan për orë me radhë për vënien në kontroll.
Dinamo SHA, është shoqëri aksionere prej vitit 1995. E ndërtuar fillimisht në vitet 60’, dhe është privatizuar pjesë-pjesë në vitet 90. Fillimisht në vitin 1995 u blenë aksionet e ish ndërmarrjes shtetërore të prodhimit të miellit në Tiranë, dhe më pas në 1999 u morën edhe aksionet e ish ndërmarrjes shtetërore "Uzina Dinamo".
Sot aksioneri më i madh i kësaj shoqërie është Roland Hysa, me 55.8% të aksioneve, por bashkë me bashkëshorten e tij dhe 2 fëmijët kanë në total 75.8% të aksioneve të SHA-së. Ndërsa 13.3% të kuotave i ka ende shtetit, përmes Ministrisë së Ekonomisë. Në total në këtë shoqëri sipas të dhënave në pasqyrat financiare të saj për vitin 2024, janë 122 aksionerë, dhe kapitali 168,842,000 lekë. (1.6 mln euro)
Komente









