Në 7 maj 1996, 13 nxënës dhe mësuesi i tyre humbën jetën tragjikisht në ujërat e liqenit të Prespës, teksa ndodheshin në një ekskursion shkollor dhe lundronin në një varkë të vetme. Ngjarja mbetet një nga tragjeditë më të rënda që ka prekur zonën e Pogradecit dhe gjithë vendin.

Sot, tre dekada më vonë, dhimbja për familjet mbetet po aq e fortë. Shpresa Berberi, Nëna e te ndjeres Enkelejda Berberi kujton se vajza e saj ishte vetëm 15 vjeçe, nxënëse e vitit të pare. Fillimisht nuk kishte dashur ta lejonte të shkonte në ekskursion, por vajza ishte nisur bashkë me nxënësit e vitit të katërt.

“Ishte 15 vjeç, në vitin e parë. Më iku çupa e pafajshme. Si rrojmë ne? Si punojmë ne? Ne mbetëm të këputur. Peshqit i kishin ngrënë vetullën, faqkat, buzkat. Duam drejtësi. Kurrë s’na mbyllet kjo plagë” thotë Shpresa Berberi

Edhe Hava Latollari, nëna e Arti Latollarit, thotë se jane lene ne harrese nga institucionet përgjatë këtyre 30 viteve. Sipas saj, 14 familjet kanë kërkuar vazhdimisht dëmshpërblim nga shteti, pasi fëmijët ndodheshin në një aktivitet të organizuar nga shkolla, ndërkohë që sipas saj, destinacioni i ekskursionit kishte ndryshuar nga Voskopoja në Prespë për shkak se Sali Berisha bënte fushatë aty.

“Unë kisha djalin. I dërguam në shkollë por jo që të na i sillnin në arkivol. Dhimbja jonë nuk tregohet. Nuk ka pyetur njeri për ne. Shumë politikanë kanë luajtur me tragjedinë tonë. Problemi ynë nuk është zgjidhur. Jemi 14 nëna. Ne kërkojmë të drejtën tonë. Dëmshpërblim, sepse ne nuk i dërguam në plazh por në shkollë. Meqe e kishte Sali Berisha fushatën në Prespë, i shpunë atje, mbaruan më pas dhe na i lanë fëmijët në liqen. Kam vajtur e para në liqen atë ditë” tha ajo.

Tragjedia ndodhi kur varka me 13 gjimnaziste dhe mësuesin Edmond Mato u përmbys pak metra larg bregut, pasi kishte nisur të fuste ujë gjatë lundrimit. Viktimat ishin nxënës të shkollës së Starovës dhe Buçimasit ne Pogradec. Sot, shkolla mban emrin “14 engjëjt” dhe brenda saj është klasa-muze në kujtim të tyre.