Një shpërthim i fuqishëm me 300 gr eksploziv ka ndodhur mëngjesin e sotëm në zonën e Kombinatit, në Kryeqytet, duke krijuar panik te qytetarët. Report Tv mësoi nga të dhënat e para se i është vënë eksploziv te dera e banesës shtetasit Klaudio Uka. 

Ngjarja ka ndodhur në rrugën ‘Koço Poro’, ku Report Tv mësoi se dyshohet që autorët të kenë vendosur 300 gr eksploziv te dera e jashtme e banesës. Shpërthimi ka qenë shumë i fuqishëm, sa banesës i janë thyer dritaret dhe dyert, ndërsa janë shkaktuar dëme të konsiderueshme edhe në katër banesa të tjera, si dhe janë dëmtuar dy makina. 

[gallery]25699[/gallery]

Për shpërthimin policia po heton në pistën e ndonjë konflikti për një bar-kafe që Klaudio Uka ka në Tiranë. Nuk përjashtohet edhe ndonjë konflikt i mëparshëm i Klaudio Ukës, pasi më parë ai ka qenë në emigrim dhe prej 5 vitesh jetonte në këtë banesë në Kombinat.

Report Tv ka shkuar në vendngjarje dhe ka pyetur fqinjët e pronarit të banesës, ku ndodhi shpërthimi i fuqishëm. Ata pohuan se shpërthimi ka qenë shumë i fuqishëm dhe ka dëmtuar banesat e tyre, ku janë thyer edhe xhamat, ndërsa shtojnë se familja Uka janë njerëz të mirë.

“Shpërthimi rreth orës 1 e 40 minuta. Ishte shumë i fuqishëm. Na janë dëmtuar banesat. Janë thyer edhe xhamat. Familja Uka nuk dimë të ketë konflikte. Janë njerëz të mirë”, thanë ata.

d.c./shqiptarja.com