Prokuroria e Posaçme ka mbyll hetimet për ish-kryebashkiakun e Kavajës, Elvis Roshi.
Pak ditë pas paraqitjes së Roshit në SPAK, i cili firmosi mbylljen e hetimeve, prokurori Elvin Gokaj ka bërë kërkesë në GJKKO për të kaluar çështjen ndaj Rroshit për gjykim.
Rudina Palloj është caktuar gjyqtare për të shqyrtuar kërkesën e prokurorisë, lidhur me ish-kryetarin e Bashkisë Kavajë që është marrë i pandehur për veprën penale “shpërdorim detyre”.
Hetimi erdhi pas një kallëzimi të bërë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit për parregullsi në tendera gjatë periudhës së tij në krye të Bashkisë së Kavajës.
Roshi u kallëzua 10 vite më parë në Prokurorinë e Kavajës nga KLSH në shtator të vitit 2015, ku Rroshi dhe 10 zyrtarë të tjerë dyshoheshin se kishin shkaktuar një dëm ekonomik prej 33 milionë lekësh me tenderat e rikonstruksionit të qendrës së qytetit dhe ndërtimin e disa rrugëve.
Shkeljet u zbuluan pas një auditi të kryer në Bashkinë e Kavajës për periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Në listën e shkeljeve u renditën 12 tendera, të zhvilluar kryesisht për rikonstruksionin e qendrës së qytetit, të disa rrugëve lidhëse dhe mbjelljen e pemëve dekorative. Në dy raste, KLSH e akuzoi Bashkinë e Kavajës se ka ndjekur standard të dyfishtë në vlerësimin e pjesmarrësve në tenderë, duke skualifikuar operatorin me ofertën më të ulët.
Për 3 tenderë të tjerë, u konstatua se ofertuesi me çmimin më të ulët është skualifikuar padrejtësisht si rezultat i llogaritjes së gabuar të ofertës. Çështja shkoi më pas në Prokurorinë e Durrësit e cila kërkoi ta mbyllte, por një vendim i GJKKO vitin e kaluar urdhëroi hetimin e dosjes nga SPAK.
Më 17 maj 2025, SPAK i sekuestroi celularin Roshit dhe ushtroi kontrolle personale nën dyshimin për korrupsion në zgjedhjet e 11 majit, teksa bënte fushatë për kushëririn e tij Elton Roshi në Kavajë, që kandidonte për PD-ADSHM-në e Sali Berishës.
Komente











