TIRANË- Pronari i kompanisë ‘BanaKing’, Trifon Murataj është shpallur në kërkim, teksa janë vënë në pranga administratori Petrit Demishaj dhe 2 punonjësit e skanerit. Policia thotë se ka prova se këto persona në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë organizuar trafikimin e sasisë prej 33.5 kg kokainë nga Ekuadori në Shqipëri.

Report Tv mëson se është vënë në pranga, Petrit Demishaj, i cili kishte si detyrë që të priste ngarkesën me banane në Port, brenda së cilës ishte dhe sasia e kokainës. E ndërsa pjesë e këtij grupi ishin bërë edhe 2 punonjës të skanerit në Port, Alban Naziraj 48 vjeç (operator skaneri) si edhe Artur Sevdaraj 48 vjeç (imazhier skaneri). Këto të fundit në bashkëpunim me njëri tjetrin ia dolën që të nxirrnin të pastër në skaner kontejnerin ku ishte sasia e drogës. Mirëpo, anti-droga shqiptare kishte pasur informacione për sasinë e drogës që kishte mbërritur, për këtë arsye bëri kontrolle fizike me qen, ku arritën të zbulonin kokainë e fshehur në 31 pako në 2 arka bananesh të ‘BanaKing’. Uniformat blu vijojnë punë kapjen e Trifon Murataj, pronarin e kompanisë Zico Sh.A që tregton banane nën emrin “Bana King”. 

Itinerari
Report Tv ka mësuar edhe itinerarin që ka ndjekur anija. Ajo është nisur në 20 shtator nga Porti “Puerto Bolivar” i Ekuador, 10 ditë më pas është ndalur në Panama, në portin ‘Cristóbal’. Destinacioni i radhës ka qenë Porti ‘Gioia Tauro’ në Itali ku anija ka qëndruar në këtë Port për 21 tetor. Në këtë datë, është nisur drejt Shqipërisë, ku ka mbërritur në Portin e Durrësit më 28 tetor, e ndërsa zbulimi i drogës është bërë, dje më 3 nëntor.

Drogë në kontejnerët e ‘BanaKing’, rast i përsëritur
Kjo nuk është hera e parë në kontejnerët me banane të Kompanisë ‘BanaKing’ është gjetur drogë. Rasti më i fundit ka qenë në korrik të këtij viti. Kontejneri me banane u gjet i hapur dhe u zbulua se mungonin rreth 50 arka, të cilat dyshohet se kishin kokainë. Episodet me drogë në Portin e Durrësit janë të shumta

Edhe SPAK në Portin e Durrësit
Operacioni i quajtur ‘Again’, u realizua nga strukturat e Hetimit të Krimit në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, në bashkëpunim me Policinë Kufitare të Portit Durrës, në koordinim me Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Again”. Në vendngjarje kanë qenë edhe prokurorë të SPAK.

 

Droga e sekuestruar

 

Trifon Murataj