Policia zbuloi një banesë me 344 kuti me lëndë piroteknike të ndryshme, me vlerë rreth 40 000 euro. Dyshohet se i riu Eurolind Rustani, i cili u arrestua, furnizonte me këto lëndë personat e maskuar e të dhunshëm gjatë protestave të tri ditëve të fundit.

Banesa ku ishin të magazinuara lëndët e paligjshme ndodhet në rrugën Jargavani në zonën e Lundrës në Tiranë. Rustani zotëron edhe një faqe në rrjetet sociale të quajtur "Fishekzjarre Online" ku ofrohen "fishekzjarre me porosi, hapur 24 orë në Tiranë, porosia vjen brenda ditës."

Policia vijon hetimet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari të paligjshme.

Njoftimi i plotë:

Tiranë/Finalizohet operacioni i koduar “Fireworks”.

Zbulohet një banesë ku ishin magazinuar lëndë piroteknike të kontrabanduara, dyshohet për t’ua shitur pjesëmarrësve në protestat e ditëve të fundit, arrestohet 24-vjeçari.

Sekuestrohen 344 kuti me lëndë piroteknike të ndryshme, me vlerë rreth 40 000 euro.

Si rezultat i kontrolleve dhe punës operative, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative për një shtetas që kishte magazinuar në banesë sasi të konsiderueshme lëndësh piroteknike, me qëllim përdorimin për qëllime të kundërligjshme, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare finalizuan operacionin e koduar “Fireworks”.

Si rezultat i operacionit, u arrestua në flagrancë shtetasi E. R., 24 vjeç.

Nga kontrolli në katin e parë të banesës së 24-vjeçarit, në rrugën “Jargavani”, u gjetën 344 kuti me lëndë piroteknike, që dyshohet se ky shtetas ua furnizonte personave të maskuar e të dhunshëm gjatë protestave të tri ditëve të fundit.

Vijojnë kontrollet dhe veprimet hetimore për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari të paligjshme, si dhe për dokumentimin e plotë ligjor të rastit.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

1792139741_faqjainstafishekzjarre.jpg

Profili i Fishekzjarre Online në Instagram

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë