Në dhjetor të 2014-s, ka përfunduar kontrata kolektive e punës mes Ministrisë së Arsimit dhe Sindikatave të Pavarura. Nga janari i këtij viti mësuesit punojnë pa një kontratë e cila mbron interesat e tyre. Burime pranë sindikatave të arsimit shprehen se qeverisë i është lënë afat 3 muaj për nënshkrimin e kontratës kolektive në të kundërt do të ndjekin rrugë ligjore. “I kemi kërkuar ministrisë nënshrkimin e kontratës kolektive, por ende nuk kemi një përgjigje zyrtare. Nëse MAS nuk na jep tjetër mundësi, atëherë do të marrim masa ndaj këtij vendimi, pasi mësuesit sot punojnë pa kontratë dhe ministria mund të ndryshojë kushtet pa marrë mendimin tonë”, - thonë drejtuesit e sindikatave të arsimit parauniversitar.

Sipas sindikatave të arsimit sot, mësuesit janë të pambrojtur ligjërisht ndaj punëdhënsit, që në këtë rast është MAS. Në një takim me zv. ministren Nora Malaj, përfaqësuesit e sindikatave ngritën shqetësimin për mungesën e një kontrate kolektive si dhe i kërkuan MAS të tërheqë grupin e punës, i cili po merret me testimin e mësuesve që pritet të zhvillohet në muajin maj. Por burime pranë Ministrisë së arsimit u shprehën të vendosur se testimi në muajin maj do të zhvillohet dhe “në bazë të këtij provimi do të shikohen se në ç’nivel ndodhen sot mësuesit të cilët u japin mësim brezave të ardhshëm”. Lidhur me testimin Ministria e Arsimit thotë se është duke u hartuar udhëzimin i cili do të përcaktojë mënyrën se si do bëhet testimi, kush do të japë provimin dhe çfarë do përmbajnë programet orientuese.

Testimi i të gjithë mësuesve është një premtim i Kryeministri Edi Rama, i cili që gjatë fushatës zgjedhore të 2013-s, ka theksuar rëndësinë e një provimi, për të njohur nivelin e mësuesve në çdo lëndë. Ndërkohë Ministria e Mirëqenies Sociale do të hartojë kontratë më vete me mësuesit e arsimit profesional, duke qënë se ky sektor ka kaluar nën varësinë e saj. Kontrata me mësuesit e arsimit profesional do të jetë me kushte të ndryshme nga mësuesit e tjerë dhe do të nënshkruhet mes MMS dhe sindikatës së arsimit.

(Shkrimi u publikua sot (07.04.2015) në Shqiptarja.com versioni print)