Rusia është raportuar 38 herë në Gjykatën Penale Ndërkombëtare në Hagë, në referimin më të madh të ndodhur ndonjëherë për ndonjë shtet. 38 vende ku përfshihet edhe Shqipëria, kanë referuar në Gjykatën Penale Ndërkombëtare të Hagës, Rusinë, që të hetohet për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid në Ukrainë. Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka në një reagim në Twitter thotë se bota nuk do ta pranojë kurrë agresionin e paligjshëm.

'Shqipëria bashkon forcat me 37 aleatë dhe partnerë për të referuar situatën në  Ukrainë në Gjykatën Ndërkombëtare Penale. Rusia duhet të hetohet për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid në Ukrainë. Bota nuk do ta pranojë kurrë agresionin e paligjshëm.'- shkruan Xhaçka.

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkua Boris Johnson tha se Putin nuk do t'i kryejë këto akte të tmerrshme pa u ndëshkuar.

"Ne jemi të qartë se Putini nuk mund t'i kryejë këto akte të tmerrshme pa u ndëshkuar," shkroi Johnson.

Sekretarja e Jashtme Liz Truss shkroi në Twitter se trupat ruse "po synojnë civilët pa dallim dhe po hedhin raketa nëpër qytete anembanë Ukrainës".

"Një hetim nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për aktet barbare të Rusisë është urgjentisht i nevojshëm dhe është e drejtë që përgjegjësit të mbahen përgjegjës. MB do të punojë ngushtë me aleatët për të siguruar që drejtësia të vihet në vend," tha ajo.