'CEZ', Berisha rrezikon burgun
mashtroi komisionin hetimo

'CEZ', Berisha rrezikon burgun<br />mashtroi komisionin hetimo
Nëse komisioni hetimor parlamentar për çështjen ‘CEZ’ do ta konsiderojë të vlefshme dëshminë e tij, ish-kryeministri Sali Berisha rrezikon të ndiqet penalisht për dëshmi të rreme.

Ish-kryeministri ka mashtruar me dëshminë e tij para komisionit hetimor për zbatimin e legjislacionit dhe pasojat e privativit të OSSH, duke konsumuar kësisoj veprën penale të dëshmisë së rreme, parashikuar në nenin 306 të Kodit Penal.

Konkretisht, Sali Berisha ka mohuar njohjen dhe takimet me shtetasin kosovar, Nuel Kalaj, i cili në bazë të dokumenteve, dëshmive dhe transaksioneve të zbardhura, rezulton si sekseri i shitjes së OSSH tek CEZ nga qeveria “Berisha”.

I pyetur nga kryetari i komisionit hetimor, Taulant Balla, nëse e njihje dhe nëse ishte takuar me shtetasin Nuel Kalajn, Sali Berisha është përgjigjur duket thënë “shpifje e mirëfilltë”, “shpifje e ndyrë”. Me fjalë të tjera, Berisha ka mohuar në komision njohjen me sekserin Nuel Kalaj, i cili refuzon që të dëshmojë në komisionin hetimor.

Por, ka dy dëshmi, një e-mail dhe një dokument që provojnë të kundërtën. Deklarata e vetë Nuel Kalajt, dëshmia e juristit të OSHEE, Romeo Kara, një e-mail ish-drejtorit të CEZ në Shqipëri, Josef Hejsek dhe një dokumentet i vitit 2006 konfirmojnë jo vetëm njohjen, por edhe takimet mes Nuel Kalajt dhe ish-kryeministrit, Sali Berisha.

“Me ish¬kryeministrin Berisha jam takuar si pjesë e delegacionit të CEZ¬it, kur ata kanë ardhur në Tiranë”, ka deklaruar Kalaj. Ndërkaq, një dokument i vitit 2006, i administruar nga komisioni hetimor, konfirmon se Nuel Kalaj ka një miqësi të konsoliduar me Sali Berishën. Në dokument del qartë se Kalaj është një njeri i besueshëm i Sali Berishës, aq i besueshëm saqë ka vënë në rresht edhe ish-ministrat e tij.

Dëshmia para komisionit si ajo para prokurorit
Dëshmia para komisionit hetimor është e barabartë me dëshminë para prokurorit dhe me dëshminë para gjyqtarit. Por pasojë, edhe dëshmia e rreme para komisionit hetimor ndëshkohet njëlloj si dëshmia e rreme para prokurorit.

Neni 16 i ligjit për komisionet hetimore parashikon që komisioni hetimor thërret dëshmitarë për të sqaruar rrethana të ndryshme që lidhen me çështjen, sipas rregullave të parashikuara në Kodin e Procedurës Penale. Sipas nenit 360 të Kodit të Procedurës Penale, para se të fillojë pyetja, kryetari i komisionit hetimor paralajmëron dëshmitarin për detyrimin dhe përgjegjësinë ligjore që ka për të thënë të vërtetën.

Sa i takon, përgjegjësisë ligjore, neni 306 i Kodit Penal parashikon që dëshmia e rreme përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet. Por, pika 2 e nenit 360 të Kodit të Procedurës Penale, parashikon që dëshmitari duhet të betohet dhe të tregojë gjeneralitetet e tij. Në rastin konkret, Berisha refuzoi që të betohej se do të thoshte të vërtetën.

Shkelja e kësaj pike mund ta bëjë të pavlefshme dëshmitë e tij. Ndoshta Berisha ka refuzuar qëllimisht që të betohej. Megjithatë, do të jenë organet e Kuvendit, ata që të cilat do të vendosin për vlefshmërinë e dëshmisë. Ndërsa kallëzimi penal për dëshmi të rreme mund të bëhet nga komisioni hetimor.


Dëshmia e Sali Berishës
-Taulant Balla: Dakord. Kur të shprehet Gjykata e Lartë, patjetër. A e njihni ju zotin Nuel Kalaj apo Nue Kalaj, sepse ai përdor dy emra?
 
-Sali Berisha: Shpifje e mirëfilltë. Ti vetëm shpif!
 
-Taulant Balla: Mos u skuq! A e njihni këtë emër? Përgjigjuni me po, apo jo!
 
-Sali Berisha: Për shpifësin kam vetëm një përgjigje: je shpifës.
 
-Taulant Balla: A jeni takuar ndonjëherë me Nuel Kalaj?
 
-Sali Berisha: Për shpifësin kam vetëm një përgjigje: ti je shpifës i certifikuar.
 
-Taulant Balla: Z. dëshmitar! Sillini një shishe ujë! E paska! A keni folur ndonjëherë në telefon me Nuel Kalajn?
 
-Sali Berisha: Shpifje e ndyrë. Për shpifësin kam vetëm një përgjigje: je një shpifës i
pakorrigjueshëm.
 
-Taulant Balla: Kush është shpifësi, Nueli?
 
-Sali Berisha: Shpifësi jeni ju.

 
4 dëshmitë që provojnë takimet e Sali Berishës me Nuel Kalajn
 
1. Dëshmia e Romeo Kara
“Në dokument del se Nuel Kalaj ka hyrë në këtë valle pasi dështoi një person tjetër me origjinë kosovare, Hamza Merxhani, i cili jeton në Çeki, sipas të dhënave që kemi ne dhe kërkimeve tona, dhe ka dështuar në vitin 2005 për të ndërhyrë në lidhje me privatizimin e OSSH-së, apo KESH-it që ishte në atë kohë, në favor të CEZ-it. Me ndërrimin e qeverisë, ka futur në lojë apo ka ftuar Nuel Kalajn, i cili paska lidhur, sipas kësaj letre, një kontratë tremujore për të lobuar pranë qeverisë shqiptare me një sous-estimer të përcaktuar atje, ka ardhur ne vjeshtën e vitit 2006 në Shqipëri, thuhet, ka pasur lidhje të forta me kryeministrin, ka takuar ministrin e linjës, Genc Ruli, ka edhe fotografi të tij me Genc Rulin në këtë material që unë kam. Thuhet se ka telefonuar mbi 100 herë brenda një muaji kryeministrin Berisha... Kështu e thotë letra dhe kështu e thonë edhe e-mailet e tjera që unë kam gjetur, të cilat do t’jua ofroj juve...”.
 
2. Deklarata e Nuel Kalajt
“Me Shkëlzen Berishën nuk kam asnjë lidhje. Nuk i kam premtuar askujt organizimin e takimeve me të. Me ish¬kryeministrin Berisha jam takuar si pjesë e delegacionit të CEZ¬it, kur ata kanë ardhur në Tiranë. E gjithë veprimtaria ime ka qenë në përputhje me ligjet e Shqipërisë dhe të Çekisë ku zhvillon aktivitetin e saj kompania CEZ. Nuk kam negociuar, por kam pasur një kontratë për të mbledhur informacionet e nevojshme për nevojat që kjo kompani kishte në Shqipëri”.
 
3. E-maili i Josef Hejsek për Tomas Pelskac
“Do të të pres ty me Nuelin në aeroport, në sallonin VIP. Me Nuelin sapo mbarova negociatat e tjera. I shpjegova në detaje se çfarë kërkojmë. Takimi me të birin, sipas Nuelit, është shtyrë për nesër pas ardhjes së PM (Kryeministrit). Çfarë duhet të presim nga kryeministri? Sipas Nuelit rezultatet në mënyrë të sigurt do të jenë pozitive dhe në 90 % konkrete. Ai më siguroi se për kryeministrin po punon një komision ndërministror i cili në mënyrë të specializuar po trajton problematikën tonë. (Mund t’ju konfirmoj që kam folur me disa anëtarë të komisionit që po merren me këtë marrëveshje)”.
 
4. Dokumenti i 2006, takimi Ruli-Kalaj
“Nga vetë Nueli konfirmohet se takimi i parë me Genc Rulin nuk ishte shumë domethënës. Në vijim Nuel Kalaj i ka kërkuar ballafaqim ministrit Ruli me në prani të kryeministrit Berisha, kjo pasi Ruli kishte filluar tratativat e privatizimit të OSSH me kompaninë Enel Energia”.

ruli kalaj
(Dokumenti qe u paraqit në Komisionin Hetimor për CEZ)

dy.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Kë doni ju që të fitojë zgjedhjet në SHBA?



×

Lajmi i fundit

Nesër zgjedhjet në SHBA/ Ish-ambasadori: Duhet ndryshuar rendi botëror! Endri Shabani: Trump thotë 'Amerika e para'! Po kur ka qenë ndonjëherë e dyta?!

Nesër zgjedhjet në SHBA/ Ish-ambasadori: Duhet ndryshuar rendi botëror! Endri Shabani: Trump thotë 'Amerika e para'! Po kur ka qenë ndonjëherë e dyta?!