'Dear Albania', Eliza Dushku: Babai
më thoshte gjithmonë “je shqiptare”

'Dear Albania', Eliza Dushku: Babai<br />më thoshte gjithmonë “je shqiptare”
TIRANE- “Unë e njoha Shqipërinë hap pas hapi dhe jam surprizuar me njohjen  e popullit nga kam origjinën. Jam e lumtur që e bëmë këtë projekt”, tha dje Eliza Dushku në ceremoninë e shfaqjes së filmit të saj dokumentar “Dear Albania” (“E dashur Shqipëri”), duke falënderuar edhe bashkëpunëtorët e saj fotografin e njohur shqiptar, Fadil Berisha, aktorin Blerim Destanin dhe gjithë stafin që ka ndihmuar në realizimin e këtij filmi.

E pranishme në ceremoninë e çeljes së dokumentarit me vëllain e saj Natte Dushku, në Muzeun Historik Kombëtar, aktorja e njohur hollivudiane Eliza Dushku tha se “filmi nisi si një shprehje e dashurisë ndaj vendit të origjinës. Babai im gjithmonë thoshte se “ti je shqiptare” dhe kishte dëshirë që fëmijët e tij ta njihnin Shqipërinë”, tha Eliza Dushku duke rrëfyer se “babai im Filipi edhe pse nëna ime ishte daneze, më thoshte shpesh “Ti je shqiptare, ke mbiemrin Dushku”.

Eliza rrëfeu se për Shqipërinë i flisnin shpesh edhe halla e saj dhe të afërmit e familjes Dushku në Boston dhe në kujtesën e saj Shqipëria jetonte bashkë me të. Eliza Dushku rrëfeu se “e kam nisur këtë projekt me dashurinë që kisha në zemër për Shqipërinë dhe në fund zbulova vlerat e ralla të këtij vendi, kulturën, njerëzit, këngët, vallet, kuzhinën”. “Jam krenare për ty Shqipëri, të dua”, tha Eliza Dushku para shfaqjes së dokumentarit.
 
Dokumentari “E dashur Shqipëri”
Me zërin e saj nostalgjik që mbulon pamjet më të zgjedhura për një dokumentar të konceptuar si një letër dashurie për Shqipërinë, Eliza Dushku ka futur në fokusin e këtij filmi episode nga të gjitha trojet ku banojnë shqiptarët. Ajo udhëton bashkë me pamjet nga Apolonia, Berati, Saranda, Butrinti, Vlora, Korça, Kosova, Shkodra, Tropoja, Mali i Zi, Shkupi, dhe rrëmben në fokus pamjet e momumenteve arkeologjike, duke i kthyer në një promocion të hapësirës mbarëshqiptare. Zëri i Eliza Dushkut që vjen nga bota e Hollivudit jep një imazh të të plotë të Shqipërisë natyrale, të shpërndarjes së shqiptarëve etnikë.

Ajo ka udhëtuar dhe ka folur me të gjithë shqiptartë kudo që janë. Ka provuar ushqimet e traditat e çdo treve me shqiptarë. Eliza Dushku ka kërcyer e ka kënduar dhe për të gjitha këto i shpjegon botës se çfarë ndjen, çfarë mëson, çfarë tradite, kulture, peisazhi e vetish të mira ka vendi nga ka ajo origjinën. Me zërin e saj Eliza Dushku ka rrëfyer edhe kujtimet me byrekët tradicionalë që i gatuante gjyshja e saj shqiptare.

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Përfundimi i votimit/ Mbërrijnë kutitë e para në stadiumin e Himarës

Përfundimi i votimit/ Mbërrijnë kutitë e para në stadiumin e Himarës