'Drejtësia', PD cakton kushte
të reja, Reforma në rrezik

'Drejtësia', PD cakton kushte<br />të reja, Reforma në rrezik
Një kërkesë e papritur e minutave të fundit nga kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, për aplikimin e shumicës absolute nga Kuvendi për zgjedhjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Këshillin e Lartë Gjyqësor, Këshillin e Lartë të Prokurorisë, Komisionin e Kualifikimit dhe Kolegjin e Apelimit, pra me 94 vota, ka vënë në rrezik konsensusin e reformës në drejtësi. 

Menjëherë pas kërkesës surprizuese të demokratëve, ka ardhur edhe reagimi i ashpër i ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilët akuzojnë kryetarin demokrat, Lulzim Basha, se po kërkon të bllokojë miratimin e reformës në drejtësi.

SHBA e cilëson të papranushme këtë kërkesë, ndërsa i bën thirrje deputetëve të Kuvendit që të votojnë individualisht paketën e ndryshimeve Kushtetuese nesër në Kuvend. 

Deklarata e SHBA:
Ambasada e SHBA është e zhgënjyer që vëren se pas deklarimit të një marrëveshjeje midis qeverisë dhe opozitës, kreu i opozitës, Z. Basha ka paraqitur një kërkesë të re të papranueshme. 

reagimi

(Reagimi i Ambasadës së SHBA)

Ky zhvillim i fundit na detyron të arrijmë në përfundimin se kjo është një përpjekje e qëllimshme nga kreu i opozitës për ta bllokuar këtë reformë. Paketa e reformës është gati dhe përmbush të gjitha standardet e Komisionit të Venecias, SHBA dhe BE.

Nëse Z. Basha nuk i përmbush dot premtimet e tij, Qeveria e Shteteve të Bashkuara iu bën thirrje anëtarëve të parlamentit individualisht ta miratojnë këtë reformë më 21 korrik.

PD kërkon votim me 2/3 për KLGJ dhe KLP
Po cila është kërkesa e re e Partisë Demokratike që ka vënë në rrezik konsensusin për reformën në drejtësi. Kjo forcë politike kërkon që votimi për anëtarët e Këshillit të Lartë Gjyqësor e Këshillit të Lartë të Prokurorisë të bëhet me 2/3 nga Parlamenti. Kjo kërkesë ka qenë e parashtruar nga opozita që në fillim të diskutimeve për draftin por hoqi dorë më pas. Pas lëshimit të maxhorancës u vendos që ky votim të kryehej me 3/5.

Sot kur u mendua se edhe vettingu u zgjidh konsensualisht, PD iu rikthye sërish kërkesës për shumicë të cilësuar në Këshillin e Lartë Gjyqëasor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Këto dy çështje nuk kanë qenë pjesë e negociatave në tryezën e negociatorëve PS-LSI-PD.

Ishte kryeministri Edi Rama i cili dy muaj më parë u shpreh se pranonte kërkesën e opozitës për votimin me 2/3 në Kuvend. Ndërsa nuk vonoi që opozita të artikulonte një tjetër kërkesë atë për vettingun me pjesëmarrjen e partive politike. 

Zhvillimet minutë pas minute nga mbledhja e komisionit të reformës

Ora 23:55 Xhafaj: Nesër në Kuvend drafti i parë, ekspertët e huaj eliminojnë kandidatët
Kryetari i Komisionit të posaçëm parlamentar Fatmir Xhafaj u shpreh sot se nesër në Kuvend do të hidhet në votim drafti i Victoria Nuland, ku ekspertët ndërkombëtarë kanë rol përjashtues ndaj kandidaturave gjyqtarë.
 
Dokumenti që po negociohej nga tryeza trepalëshe nuk do të merret parasysh, për shkak se PD vuri një tjetër kusht, pas arritjes së konsensusit të vettingut mesditën e të mërkurës.
 
Kryetari i ligjeve theksoi se ndryshon krejtësisht formula e vettingut nga ajo që u tentua të negociohej në tryezë dhe aplikimet për në institucionet e reja të drejtësisë do të bëhen te Avokati i Popullit dhe jo te Presidenti i Republikës.
 
"Projekti që kemi pasur deri më sot, kutinë postare e bënte Avokati i Popullit. Kishte një propozim në draftin Nuland që kjo të bëhej te zyra e Presidentit. E keni në draftin kushtetues. E keni vazhdimisht kështu dhe nuk ka ndryshuar deri më sot pasi pritej të bëhej kjo ndërhyrje. Pra është kandidatura për komisionerë, bëhet fjalë për 21 komisionerë, për 12 komisionerë të kualifikimit, 7 të kolegjit të posaçëm të apelimit dhe për dy komisionerë publikë, 21 veta gjithsej. Të gjithë ata që duan të kandidojnë, aplikojnë te zyra e Avokatit të Popullit, ose presidentit nëse do të ndryshohet. Presidenti ose Avokati i Popullit bëjnë thjesht verifikimin e plotësimit të kushteve formale. Nëse i përmbush kushtet bazë apo jo. Prej këtu kalojmë tek zyrat e panelit për 3 ose më shumë gjyqtarësh e prokurorësh ndërkombëtarë të SHBA dhe BE, të cilët bëjnë një vlerësim të kushteve substanciale të kandidatëve dhe nga lista përjashtojnë ata të cilët nuk plotësojnë këto kritere dhe lista që mbetet ia përcjellin Kuvendit të Shqipërisë voton për kandidatët respektivë", u shpreh Xhafaj. 

Ai deklaroi se reforma në drejtësi do të votohet nesër në Kuvend, pavarësisht ngërçit të krijuar prej kushtit të ri të PD.

"Së pari, Kuvendi mund të zhvillohet normalisht nesër, ka një draft, projekt kushtetues për të cilën është e përgatitur e gjithë procedura parlamentare. Relatorët e komisionit kanë firmosur raportin që do t'i paraqitet seancës. A është ky i duhuri? Po themi ne, SHBA, BE. Por ka dikush që nuk thotë dot po. Projekti është gati për tu shqyrtuar nesër në seancë plenare. Parlamenti nuk funksionon sipas humorit të ditës të njërit apo tjetrit. Në sallën e Kuvendit mund të ulen të gjithë deputetët. Ka një projekt i cili është miratuar në komisionin ad hoc dhe është depozituar në Kuvend. Nëse ka vullnet, projekti duhet të votohet nesër. Nëse duan t'i vendosin gurë në rrota integrimit të vendit, kjo s'është përgjegjësia ime", u shpreh Xhafaj.
 
Ai akuzoi Partinë Demokratike dhe kryetarin e saj, Lulzim Basha se po shpik probleme me qëllim bllokimin e reformës në drejtësi. Ai e cilësoi teatër absurd kërkesën e PD jashtë tryezës së negociatave ku u arrit konsensusi për vettingun.
 
"Kjo që po ndodh është si shkak i çudive dhe marrëzive që ofron politika shqiptare, edhe të gënjeshtrave të radhës që nxjerr politika, për t'i bërë bisht përgjegjësive që ka ndaj qytetarëve, të ardhmes së vendit dhe partnerëve ndërkombëtarë. Ky teatër që është duke zhvilluar PD, është një gjë e turpshme. nuk është korrekte. me qëndrimet e veta, me qytetarët e këtij vendi dhe me partnerët.
 
Kam që nga mëngjesi që pres të bëj një mbledhje komisioni, për të shqyrtuar një çështje të caktuar. Kishte një çështje, jetësimi i propozimi hibrid i znj.Nuland, i cili konfirmonte qëndrimin e SHBA-BE. Atë e kemi përfshirë në draftin e mbledhjes së nesërme. Opozita ka muaj të tërë që e bllokon dhe bojkoton komisionin. Kishte një çështje. Basha ka thënë ka vetëm një çështje dhe ajo ishte objekt i diskutimit të negociatorëve. U desh ndërhyrja e Hahn për ta çliruar atë. Mbrëmjen e të hënës ka pasur një procesverbal, por duhej kthyer atje ku u diskutua, te negociatorët, të cilët punuan së bashku me ekspertët e SHBA-BE. Ekspertët e SHBA-BE, i kanë propozuar ekspertëve të partive politike këtë projekt, që i jepte zgjidhje ngërçit të krijuar, bazuar edhe në ndërhyrjen e komisionerit Hahn. PD s'e bëri këtë hap sepse kishte një plan tjetër, sepse nuk kishin një çështje. Kur e panë se kur kryesorja u shpik, thanë po hapim ca probleme të tjera
", tha Xhafaj.

Ai theksoi se mazhoranca mbetet e hapur sërish për bisedime me opozitën, përpara se drafti të shkojë për votim në Kuvend në orën 10: 00 të ditës së enjte.   

Ora 23:35 Meta rikonfirmon: Kuvendi do të mblidhet nesër në 10:00
Pavarësisht kërkesave të reja të Partisë Demokratike për shumicë të cilësuar te dy institucionet KLGJ dhe KLP dhe faktit që Komisioni i Posaçëm i Reformës në Drejtësi ende nuk është mbledhur kryetari i Kuvendit, Meta rikonfirmon mbledhjen e seancës për shqyrtimin e ndryshimeve kushtetuese nesër në orën 10:00.
 
Në mesditë u ra dakord për arritjen e marrëveshjes së shumëpritur, por në mbrëmje ambasada e SHBA reagoi duke deklaruar se Basha ka shkelur marrëveshjen duke nxjerrë kërkesa të reja.

Ora 23:15 BE: Basha të mbajë premtimin, është çështje kredibiliteti politik e personal
Ka reaguar edhe Bashkimi Europian për ngërçin e krijuar në reformën në drejtësi. Një kusht i ri i demokratëve ka vënë në lëvizje edhe përfaqësuesit ndërkombëtarë.

Pas SHBA-së, është delegacioni i BE në Tiranë i kërkon Bashës të mbajë premtimin e dhënë komisionerit Hahn në mesditë.
 
"Ne shpresojmë se dakordësia e Kryetarit Basha dhe PD që iu bë e ditur sot në formë zyrtare të shkruar komisionerit është ende e vlefshme. Kjo është çështje kredibiliteti personal dhe politik", thuhet në deklaratën e BE. 

Ora 23:10 Manjani: Të hënën biseduam për çështjet pezull
Negociatori i LSI-së për reformën në drejtësi, Ylli Manjani u shpreh se të hënën është diskutuar vetëm për çështjet e mbetura pezull, ngërçin e vettingut. Ndërsa përsa i përket kërkesës së PD për KLGJ dhe KLP, Manjani tha se u prek edhe kjo pjesë, por dy negociatorët e tjerë, Oerd Bylykbashi i PD dhe Engjëll Agaçi i PS, kanë deklaruar se kjo çështjet është e zgjidhur dhe dakordësia ka qenë që, 3 anëtarë të KLGJ do të ishin të mazhorancës dhe 2 të opozitës.   
 
"Kemi diskutuar për më shumë se gjysmën e natës për çështjet pezull lidhur me propozimin hibrid të znj.Nuland. Duke marrë të mirëqenë që çështjet e tjera ishin të zgjidhur. Konfirmoj atë që tha z.Bylykbashi se kam qenë unë që e kam hapur atë diskutim. Por, të dy si z.Bylykbashi dhe z.Agaçi, më konfirmuan se të dy ishin marrë vesh me këtë histori. Nuk u përfshi në protokoll se mbledhja u ndërpre papritur. Dhe vetëm dy çështje kaluam që u zgjidhën sot nga z.Hahn. Pres që negociatorët të mblidhen.
 
Kemi mbyllur vettingu, seleksionimin e kandidatëve që do konkurrojnë për vettingun, dy çështje nëse duhej të ishte në kushtetutë ONM apo jo dhe tjetra, nëse në procedurën e skualifikimit ONM duhet të jepte një arsye apo jo. Sot kjo mori një përgjigje pozitivbe nga Hahn. ndërsa e para është pranuar që duhet të ishte në Kushtetutë. S'e kuptoj pse duhet t'i rikthehemi kësaj çështje.
 
Kemi rënë dakord që tre do ishin nga mazhoranca dhe 2 nga opozita. Kjo bisedë ka ndodhur atë natë, por nuk u reflektua sepse mbledhja u mbyll
",  u shpreh Manjani. 



Fjala e plotë e ministrit Manjani

Ora 22:56 Reagon PD: Të hënën u ra dakord edhe për KLGJ e KLP
Partia Demokratike thotë se negociatoret Bylykbashi, Agaçi dhe Manjani të hënën mbrëma kanë rënë dakord që formula e propozimit hibrid për institucionet e vetingut do të përdoret edhe për Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë Prokurorial.

"Kjo eshte nje formule ne perputhje me rekomandimin e Venecias e aprovuar si e tille nga komuniteti nderkombetar dhe se fundmi edhe nga Partia Socialiste dhe diten e sotme edhe nga Edi Rama. Hapi mbrapa i perfaqesuesve te PS ne Komision, kerkesa per tu kthyer ne formulen e votes se vetme te transferueshme te refuzuar publikisht nga Partia Demokratike, dhe refuzimi per te zbatuar marreveshjen eshte nje zhvillim dramatik", thuhet në reagimin e PD.​

Ora 22:54 Bylykbashi: PS bojkoton, në rrezik marrëveshja
Nënkryetari demokrat i reformës zgjedhore, Oerd Bylykbashi u shpreh se PS ka bojkotuar mbledhjen e komisionit të posaçëm parlamentar të reformës zgjedhore. Ai tha se PD s'ka kërkuar asgjë më shumë se sa ajo që u diskutua gjatë negociatave të hënën.

"Po mblidhemi për të dakordësuar ndryshimet, jemi mbledhur që në 20:30 ka më shumë se dy orë që socialistët refuzojnë të mblidhen për të bërë këto ndryshime që janë të domosdoshme. Miratimi është esencial dhe i domosdoshme që propozimi i Nuland të shkojë për votim nesër. Moskryerja e bën të pamundur që parlamenti të votojë nesër. Mungesa dhe bojkotimi nga anëtarët socialistë vë në rrezik votimin nesër.
Kam deklaruar se formula për Këshillin e Lartë gjyqësor dhe të Këshillit të Lartë të Prokurorisë do jetë e njëjtë si për vetingun, e konfirmoj se kjo ka qenë një marrëveshje në diskutim. Në mbledhjen e ditës së hënë është ngritur si çështje formula për vetingun e njëjta si në Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe Këshillin e Lartë Gjyqësor. Kjo u mbështet edhe nga zonja Nuland, çdo gjë tjetër e futur në draftin kushtetues nga komisioni i zotit Xhafaj ka sjellë në këtë draft diçka të pa rënë dakord. E theksoj se mungesa e PS sot vë në rrezik seancën nesër”,
u shpreh Bylykbashi.

Ai tha se nëse kalon dita e sotme, nuk mund të vijnë më propozime për reformën dhe vihet në rrezik drafti Nuland. 

  • Sondazhi i ditës:

    Ervin Salianji dënohet me 1 vit burg për kallëzim të rremë, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Pasojat që la pas uragani 'Helene' në SHBA, 64 persona humbën jetën, miliona shtëpi pa energji elektrike

Pasojat që la pas uragani 'Helene' në SHBA, 64 persona humbën jetën, miliona shtëpi pa energji elektrike