'Drejtësia' Rama para takimit
me Bashën:Pranoj votim me 2/3

'Drejtësia' Rama para takimit<br />me Bashën:Pranoj votim me 2/3
2 ditë para takimit me Lulzim Bashën, kryeministri Edi Rama ka përcaktuar publikisht se deri ku do të shkojë kompromisi me PD-në. Në kongresin e PDIU-së ai deklaroi se është i gatshëm t’i lërë PD-së votimin me 2/3 për njerëzit e drejtësisë, por nuk do të pranojë asnjë ndryshim në strukturën e re të të sistemit dhe skanimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. 

"​Nuk kemi asnjë problem ne, duan 2/3, 2/3 le ti marrin. Nuk na intereson fare kjo pjesë. Duan të jenë dhe ata pjesë se kanë bërë një kusht, duhen votuar kandidaturat nga Parlamenti me 2/3 sa të jetë gjallë Edi Rama.Nuk ka problem.Nuk mund tu premtoj se do vdes kur të duan ata, por mund tu premtoj se deri sa të jem gjallë me 2/3, por një gjë po u them, e kam thënë disa herë.Kam thënë që reforma mund të kalojë dhe mund të kalonte dhjetorin e kaluar, kam thënë që mund të kalojë në shkurt, mars, prill. Po ju them që java e ardhshme është java e të vërtetës dhe e gjithë shumica jonë, PS-LSI-PDIU mbështet pa asnjë ngurim draftin e dakordësuar me SHBA dhe BE"-tha shefi i qeverisë Rama

Rama tha se PS dhe LSI janë gati për kompromis por kanë dy kushte të cilat sipas tij janë të panegociueshme me opozitën

"Ne, unë personalisht sëbashku me kryetarin e LSI kemi bërë çdo përpjekje dhe kemi testuar, unë më shumë se Iliri, se Iliri durimin e ka armën e vet më të fortë, unë nuk jam aq i durueshëm por këtë herë kam mësuar që duroj tej çdo durimi, për të krijuar kushtet që kjo reformë të votohet nga të gjithë. Kemi qenë dhe jemi të gatshëm për të gjithë kompromiset por me dy kushte: E para nuk ka kompromis mbi shtyllën themelore të reformës që është hedhja në erë e sistemit të korruptuar që mban bashkë gjykatës dhe prokurorë që nuk duhet të hetojnë dhe gjykojnë të tjerët, por duhet të hetohen dhe gjykohen nga drejtësia. Dhe kjo e garantuar përmes një skanimi me kontroll ndërkombëtar të pasurisë, karrierës, vendimarrjeve dhe aftësive. Vetëm pasi të kalojnë këtë test me standartet më të larta ndërkombëtare le të ulen nëpër punë dhe le të hetojnë dhe gjykojnë të tjerët. Kjo nuk negociohet. Ana tjetër, nuk negociohet ngrehina e sistemit, është një sistem i ri që do ngrihet mbi sistemin e vjetër që reforma do ta shembë sepse ky është vullneti i më shumë se 90% të shqiptarëve.-tha Rama në fjalën e tij

Ndërkaq Shpëtim Idrizi i bëri apel që Reformën në Drejtësi të mos t'a kthejë në pazar personal me kreun e PD-së.

Takimi mes Bashës dhe Ramës do të zhvillohet të hënën në orën 17:00 në pallatin e kongreseve, por burime nga kryeministria bëjnë me dije se ende nuk janë përcaktuar modalitetet, formati I takimit dhe personat që do shoqërojnë dy liderët. Sipas variantit fillestar, Rama propozonte të kishte në krah Fatmir Xhafën dhe Bashkim Finon, që drejtojnë reformën në drejtësi dhe atë zgjedhore.
 
Përsa i përket kësaj të fundit, burime nga PS bëjnë me dije për Report TV se si alternativë për votimin elektronik të kërkuar nga PD, do të propozojnë në komision e ndoshta dhe në takim, që numërimi i votave të behet në çdo qendër votimit. Kjo do të reduktonte kohën e shpalljes së rezultatit më shumë sesa përdorimi I elektronikës.
 
Të njetat burime pohuan skepticizmin në aplikimin e votimit elektronik, pasi një difekt sado i vogël teknik, mund të çojë zgjedhjet në kolaps.

  • Sondazhi i ditës:

    Ervin Salianji dënohet me 1 vit burg për kallëzim të rremë, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Tetori, një muaj i pafat për këto shenja horoskopi

Tetori, një muaj i pafat për këto shenja horoskopi