TIRANË – Kryetari i Kuvendit Ilir Meta i ka bërë të ditur ish-Kryeministrit Berisha se ai e vlerëson pa asnjë kompromis Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe ky vlerësim, nuk ka asnjë lidhje me figura të veçanta të saj.

Ilir Meta i ka bërë të qartë Sali Berishës se “historia e djeshme e Shqipërisë nuk e pranon retushimin mbi baza dhe paragjykime politike,” ashtu siç nuk i pranojnë këto retushime, fotot e sotme të rrjetit social Facebook, ku edhe deputeti Berisha është mjaft aktiv.

Meta ka reaguar kështu pas deklaratave  të Berishës lidhur me përkujtimin e 70-vjetorit të Kongresit të Përmetit në 24 maj se “festimet me Enver Hoxhën dhe nderimi i datës se themelimit te regjimit me barbar te kohërave ne prag te marrjes se statusit te vendit kandidat, janë një tallje cinike e klikës punisto-mafioze."

Në njoftimin e Kuvendit thuhet se "Meta e ka lexuar, si dhe herë të tjera, me keqardhje, vëmendje, kureshtje, por pa habi, deklaratën e deputetit Berisha, pa pritur të gjejë qëndrim të ri në atë deklarim.

Edhe në këtë rast, ekstremet u puqën. Në të njëjtën kohë, u formuluan dy akuza ekstreme; të parët komunistët që pretenduan se Kryetari i Kuvendit nuk respekton ish-diktatorin komunist dhe ish-kryeministri, i vetëkonsideruar si antikomunist, që gjykon se po ringjallet fryma enveriste.

Parrullat komuniste dhe shfaqja e portreteve të Hoxhës në datën 24 maj në Përmet nuk kanë të bëjnë aspak me ndonjë pozicionim të mundshëm të Kryetarit të Kuvendit dhe nuk kanë gjithashtu asnjë lidhje me aktivitetin e tij në përkujtim të Kongresit të Përmetit.

Qëndrimi i z. Meta ndaj historisë së Luftës Antifashiste NacionalÇlirimtare nuk ka të bëjë me figura të veçanta. Qëndrimi i Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë është një vlerësim i vendosur dhe pa kompromis i kësaj lufte që e rreshtoi Shqipërinë si fitimtare në rradhët e koalicionit të madh antifashist ndërkombëtar.
 
Ajo është dëshmi se në vitet errët të Luftës së Dytë Botërore, shqiptarët e bënë mençurisht zgjedhjen e tyre: ishte një zgjedhje e zgjidhje në emër të patriotizmit, të nacionalizmit, në emër të lirisë dhe luftës kundër pushtuesit. Si e tillë, lufta dhe dëshmorët e atdheut, martirët që ranë për liri dhe veteranët e luftës, meritojnë lavdi dhe mirënjohje të përhershme."

Më tej, në njoftim theksohet se "Kryetari i Kuvendit beson se në gjykimin e historisë dhe mbi historinë nevojitet qetësi dhe ekuilibër, nevojitet maturi e vetëpërmbajtje dhe jo urrejtje ekstremiste nga e shkuara që tenton të mbartet dhe në të sotmen. Historia duhet të vlerësohet në mënyrë objektive dhe konstruktive, pa komplekse dhe paragjykime politike.

Historia e djeshme e Shqipërisë, njëlloj si fotot e sotme të rrjetit social Facebook, ku edhe deputeti Berisha është mjaft aktiv, nuk e pranon retushimin mbi baza dhe paragjykime politike."

Redaksia online
(armanda shtembari/Shqiptarja.com)