Partia Demokratike ka thërritur nesër në orën 18:00 një mbledhje urgjente me grupin parlamentar. Burime pranë selisë blu bëjnë të ditur se PD ka thërritur deputetët për të kontretizuar aksionin politik të opozitës, pasi maxhoranca ka vendosur të zgjedhë të hënën Kryeprokurorin e ri të përkohshëm. 

Për demokratët, procedura e ndjekur nga Kuvendi është antikushtetuese, ndërsa kanë akuzuar Ramën se kërkon të ketë një Kryeprokuror politik për të mbyllur dosjet e krimit dhe korrupsionit. Edhe sot nga Londra gjatë një takimi me bashkëatdhetarët atje, kryetari i PD Basha paralajmëroi se nëse zgjidhet kryeprokurori sipas mënyrës së maxhorancës kjo do shënonte fundin e Reformës në Drejtësi dhe të shtetit ligjor. 

Ndërkohë, këtë të premte komisioni i ligjeve miratoi raportin për kandidaturat dhe ia dërgoi Kuvendit në seancë plenare. Parlamenti do mblidhet të hënën dhe pritet të hedhë në votim tre nga shtatë kandidaturat që plotësonin kriteret ligjore për pasues të Adriatik Llallës.

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com