Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli është nisur për një vizitë zyrtare në Mbretërinë e Arabisë Saudite me ftesë të zëvendësprincit të Kurorës, zëvendës i dytë i kryetarit të Këshillit të Ministrave dhe ministër i Mbrojtjes, lartësisë së tij mbretërore, Muhammad bin Salman bin Abdulaziz Al-Saud.

Gjatë vizitës së saj, ministrja Kodheli do të zhvillojë një takim me ministrin e Mbrojtjes, lartësisë së tij mbretërore, Muhammad bin Salman bin Abdulaziz Al-Saud, me të cilin pritet të diskutojë tema që kanë të bëjnë me ekstremizmin e dhunshëm dhe terrorizmin.

Në këtë kuadër, në takimin e dy ministrave të Mbrojtjes së dy vendeve anëtare të Koalicionit Global kundër Daesh (ISIS), pritet të flitet edhe për rrezikun dhe kërcënimet që vijnë prej tij.

Si dy vende të prekura nga fenomeni i luftëtarëve të huaj, pjesë e diskutimeve pritet të jetë edhe ngritja në Shqipëri e Qendrës së Ekselencës së NATO-s për studimin e këtij fenomeni.

Në këtë takim pritet të diskutohen gjithashtu tema që kanë të bëjnë me konfliktin në Siri dhe krizën e refugjatëve.

Gjatë qëndrimit të saj në Mbretërinë e Arabisë Saudite, ministrja Kodheli do të vizitojë struktura të ndryshme ushtarake dhe disa të tjera që lidhen me sigurinë.

Redaksia Online
XH.K/shqiptarja.com