Deputetët e mazhorancës e kanë kundërshtuar propozimin e opozitës me pretendimin se fjala “ riciklim” për anëtarët, ishte në kundërshtim me fjalën “përjashtim”, që përcaktohej në ligj. Por në mes të diskutimeve mes anëtarëve të komisionit, kryetari Pollo duke përfituar që një pjesë e deputetëve të mazhorancës nuk ishin të pranishëm në komision, ka miratuar vetëm me votat e opozitës, propozimin e deputetit Tafaj. Edhe pas kundërshtimeve të ashpra për mëyrën e votimit dhe arrogancën me të cilin po merreshin vendimet në Komision nga kryetari Pollo, nuk është mundur të merret një vendim. “Këto shfaqje që ju bëni janë shumë të pista dhe të ndyra. Jeni jashtë rregullave dhe rregulloreve. E dimë shumë mirë se kush është qëllimi juaj. Meqenëse kjo punë u bë si pazar, edhe unë kam një propozim tjetër për formulën me të cilën do të bëjmë përzgjedhjen, që është e njëjtë me atë që ne kishim votuar.
Merreni dhe hidheni në votim edhe këtë gjë dhe për këtë diskutojmë për çfarë të don ju”, - u shpreh nënkryetari i Komisionit Alfred Peza. Por duke ju rikujtuar edhe njëherë forcën e kartonave të përdorur në të shkuarën, kryetari Pollo është shprehur se vonesat në këtë çështje kanë ardhur si pasojë e mungesës së konsensusit nga mazhoranca. “Nuk është as kryetari, as opozita dhe ndonjëherë as mazhoranca ajo që shkakton vonesat në Komision. Nuk keni aftësia për të bërë kompromise, për të bërë koncesione nga ajo që ke dhe sidomos nga ajo që do të marrësh që ligji nuk ta jep që është pjesa e opozitës në rastin konkret.
Ky është thelbi i diskutimit tonë dhe shkaku real i vonesave ju me të drejtë i përmendni.”,-deklaroi Pollo. Vetëm në fund të mbledhjes, pas insistimit të vazhdueshëm të mazhorancës, kryetari Pollo, hodhi në votim propozimin e nënkryetarit Peza i cili u votua në shumicë nga të majtët ndërkohë që opozita nuk mori pjesë në votim. Por votimi i djeshëm jo vetëm që nuk ka avancuar punën në komision, por e ka kthyer atë prapa në kohë, kur u miratua ky propozim.
PEZA: Zoti kryetar po diskutojmë për një mundësi të propozuar nga opozita. Ju keni propozuar për ndryshim formule, ne thjesht kemi qenë pjesë e negociatave por kjo nuk do të thotë që duhet të jemi dakord.
POLLO: Dakord, tani hedhim në votë propozimin e z.Tafaj për formulën me të cilën do bëhet përzgjedhja e anëtarëve.Votat pro?
PEZA: S’keni se si ta hidhni në votim z. kryetar.
POLLO: Kemi 10 vota pro, s’ka asnjë kundër dhe asnjë abstenim. Miratohet!
XHUVANI: Ky votim është i turpshëm dhe i dhunshëm, përfituat nga mungesa e deputetëve të mazhorancës dhe e hodhët në votim.
XHAÇKA: E turpshme ajo që bëtë ju, prisni sa deputetët të kryejnë nevojat personale për të hedhur çështjet në votim.
POLLO: Pse votimi juaj për mënyrën e përzgjedhjes së mëparshme nuk ishte i dhunshëm?
PEZA:Duke qenë se kjo punë u bë si pazar, kam edhe unë një propozim për mënyrën e përzgjedhjes së anëtarëtve të KD në RTSH. Hidhe në votim, sepse është hera e nëntë që ju vazhdoni të bëni këtë shfaqje kaq të pisët kaq të ndyrë, kaq jashtë rregullave.
POLLO:Më parë kemi diskutim.
POLLO: Jam shumë i bezdisur nga largimet e deputetëve nga komisioni, nuk vazhdohet më kështu.
BOGDANI: Këtu në komision jemi bërë si në klubin e lagjes.
PEZA: Ja ku e ke z.Pollo, ky është banakieri.
POLLO: Ju lutem t ë gjithëve të moderoni fjalorin që po përdorni.
Shkrimi u publikua sot 29 prill 2014 në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia online
(d.a/shqiptarja.com)