'Mjedisi'-PD: Ju filozofinë e fjalës,
ne punën, rehabilitojmë dëmet tuaja

'Mjedisi'-PD: Ju filozofinë e fjalës,<br />ne punën, rehabilitojmë dëmet tuaja
TIRANE - Ministria e Mjedisit ka reaguar ndaj akuzave të bëra sërish nga Partia Demokratike, lidhur me tenderat e pyejeve, dhe pretendimit të opozitës se është favorizuar një kompani e caktuar karshi të tjerëve.

Përmes një komunikate për shtyp, Ministria e Mjedisit, duke i cilësuar akuzat e opozitës si të pavërteta, rithekson se kompania e cituar nga PD “Alb-Garden” si e favorizuara nga tenderat e pyejeve nuk ka fituar asnjë nga tenderat e organizuar nga Ministria e Mjedisit si autoritet kontraktor.

Madje nënvizohet se ky subjekt ka konkuruar dhe nuk ka fituar nga Ministria e Mjedisit si autoritet kontraktor. Në komunikatë Ministria e Mjedisit shprehet se në ndryshim nga qeveria e demokratëve, ku tenderat dhe pushteti ishte tërësisht i centralizuar sot, Drejtoritë e Shërbimit Pyjor në qarqe janë autoritete kontraktore të pavarura. Dhe në këtë kuadër kompania “Alb-Garden” ka fituar me garë të hapur dhe të rregullt më pak se 20% të investimeve për gjelbërim dhe rehabilitim.

“Shtyrë nga akuzat e përsëritura dhe të pavërteta të bëra në drejtim të Ministrisë së Mjedisit nga foltorja e Partisë Demokratike, informojmë edhe një herë opinionin publik se subjekti Alb-Garden nuk ka fituar asnjë nga tenderat e organizuar nga Ministria e Mjedisit si autoritet kontraktor. Madje, sqarojmë, që ky subjekt ka konkuruar dhe nuk ka fituar nga Ministria e Mjedisit si autoritet kontraktor. Ndryshe nga e kaluara ku tenderat dhe pushteti ishte tërësisht i centralizuar nga njerëzit të cilët tani po hedhin akuza tërësisht të pavërteta, sot, në zbatim të plotë të ligjit, Drejtoritë e Shërbimit Pyjor në qarqe janë autoritete kontraktore të mëvetme, me komisione të pavarura pa asnjë lloj varësie nga Ministria e Mjedisit. E përsërisim që subjekti në fjalë ka fituar me garë të hapur dhe të rregullt më pak se 20% të investimeve për gjelbërim dhe rehabilitim.” thuhet në komunikatën për shtyp.

Ministria: Filozofia jonë e punës, zbatim projekteve dhe rehabilitim mjedisit
Më tej Ministria e Mjedisit shprehet se nisur nga akuzat, selia blu, vazhdon akoma me filozofinë e fjalëve ndërsa ky institucion zgjedh filozofinë e punës. Në këtë drejtim Ministria thekson se filozofia e PD, e la mjedisin në një gjendje të mjeruar dhe kolapsi pa zbatuar dhe pa asnjë zonë të rehabilituar.

Por sipas këtij dikasteri kjo nuk është rruga që ka zgjedhur qeveria aktuale, ku nënvizohet se vetëm në një vit qeverisës janë mbjellur 2.5 milionë fidanë, e para herë në dy dekada, ndërsa mjaft zona të degraduara janë rehabilituar.

Ndërsa rendit disa nga arritjet e vitit të parë qeverisës, Ministria shpreh vendosmërinë për të vijuar më tej në këtë drejtim, dhe përfundimin e një sërë projektesh të nisura, dhe ku brenda mandatit të parë synohet mbjellja e 10 milionë fidanëve.

“Me sa duket selia blu, vazhdon akoma me filozofinë e fjalëve ndërsa ne po ecim me filozofinë e punës. Filozofia e tyre e fjalëve na la si trashëgimi një gjendje alarmante të pyjeve shqiptare; një kaos mjedisor me shfrytëzime ilegale dhe pa kriter të shtretërve të lumenjve, të guroreve dhe furrave të gëlqeres; të ndotjes së ajrit dhe asaj akustike; pa asnjë projekt të zbatuar; pa asnjë zonë të rehabilituar; me qindra ndërtime pa leje në parqe kombëtare dhe zona të mbrojtura; me një gjueti të paepur të faunës së egër të cilën e gjetëm në kufirin e shfarosjes totale; me rrugë nacionale të mbuluara me mijëra tonë mbetje dhe pa asnjë gjelbërim; pa asnjë regjistër të përdoruesve të ujit; pa asnjë regjistër mbi dëmet apo gjendjen e pyjeve; dhe mbi të gjitha një mjedis i cili ishte tërësisht jashtë axhendës së qeverisë për investime por burimi numër një për përfitime. Ministria e Mjedisit po punon me ritme të shpejta për të rehabilituar dëmet e jashtëzakonshme të bëra ndaj mjedisit. Për herë të parë në dy dekada, një qeveri mbjell pemë. Ministria e Mjedisit vetëm brenda një viti ka mbjellë 2.5 milione fidanë dhe brenda katër viteve do mbjellë 10 milionë fidanë. Kjo qeveri e ka mjedisin prioritet dhe për herë të parë mjedisi është në qendër të opinionit publik. Jo vetëm ndërmorëm masa ndëshkuese si mbyllja e furrave të gëlqeres, ndalimi i eksportit të qymyrit të drurit, vendosja e moratoriumit 2 vjecar të gjuetisë, etj, por kemi shndërruar në të bukura zonat më të shëmtuara të vendit, kemi përfunduar një sërë projektesh dhe kemi nisur plotësimin e Regjistrit Kombëtar të përdoruesve të ujit dhe kadastrën kombëtare të pyjeve, dhe shumë reforma të tjera të cilat do zbatohen së shpejti me ligjin e ri të pyjeve.” përfundon Ministria duke shtuar se puna e nisur nuk do të ndalet nga asnjë retorikë boshe që do të vijë në drejtim të këtij institucioni.

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A justifikohen aktet e dhunes gjatë një proteste politike?



×

Lajmi i fundit

Valbona turistike, destinacioni i preferuar nga turistët vendas dhe të huaj

Valbona turistike, destinacioni i preferuar nga turistët vendas dhe të huaj