'Përgjimet',Noka: Sillni Tahirin
PS bojkot mbledhjes/Debatet

'Përgjimet',Noka: Sillni Tahirin<br />PS bojkot mbledhjes/Debatet
Flamur Noka drejtoi mbledhjen e komisionit hetimor për pajisjen e përgjimit (IMSI Catcher), pavarësisht nga incidentet te Komisioni i Sigurisë, ku ai fyu kryetarin e komisionit, Spartak Braho. Ishte ky momenti që shërbeu si shkak që deputetët socialistë të kërkonin shtyrjen e mbledhjes, pasi më herët PS kishte depozituar një kërkesë për përjashtimin e Nokës nga Kuvendi. 

Komisioni do dëgjonte sot dëshminë e Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Haki Çako si dhe kreut të SHISH, Visho Ajazi Lika

I pranishëm në komision ishte vetëm Çako, ndërsa përveç Visho Ajazit, mungoi edhe Saimir Tahiri. Kreu i komisionit, Flamur Noka, u shpreh se ministri i Brendshëm është thirrur tre herë nga komisioni. Ai tha se Tahiri do thirret në komision me polici, njësoj siç ka bërë komisioni hetimor për CEZ-in, për ish-kryeministrin Sali Berisha.

"E kemi thirrur 3 herë Tahirin. Dy herë na tha që është jashtë, ndërkohë TIMS fakton që ka qenë brenda territorit. Shkresa e fundit është dërguar sot, ndërsa ministri nuk denjoi të rrinte në Komision të Sigurise duke ikur si halabak. Të njëjtën rrugë dhe me këtë komision. Do e thërrasim me polici. Do i shkruajmë letër policisë të therrasë me forcë dëshmitarin Sajmir Tahiri. Ka refuzuar 3 herë rresht komisionin", u shpreh Noka. 

Nga ana e tyre, deputetët e mazhorancës në këtë komision i kërkuan Nokës ta ndërpresë mbledhjen pasi ai ka shkelur rëndë rregulloren e Kuvendit, duke fyer kryetarin e Komisionit Parlamentar të Sigurisë. 

"Kemi kërkuar përjashtimin e z.Noka nga Kuvendi, pas fyerjeve ndaj kryetarit të komisionit të Sigurisë, z.Braho dhe prandaj kjo mbledhje nuk mund të vijojë. Kërkojmë ndërprerjen e mbledhjes pasi ndjehemi të fyer", u shpreh deputeti i PS, Pjerin Ndreu. 

Pas debateve, deputetët e PS-në lanë komisionin, ndërsa mbledhja vijoi vetëm me deputetët e opozitës, pa pasur kuorumin e nevojshëm. 

Debate mes deputetëve të PS dhe Flamur Nokës
 
Paulin Sterkaj: Keni ofenduar kryetarin e Komisionit të Sigurisë, një burrë në moshë. Ne jemi të mërzitur si po trajton edhe mikrofonin tënd. Ti s’ke më të drejtë për të gjykuar dhe drejtuar këtë seancë.
 
Flamur Noka: Pse? Për çfarë arsye?
 
Paulin Sterkaj: Sjellja jote na ka befasuar
 
Flamur Noka: Paulin më vjen keq. Për një cështje kaq të rëndësishme, ju thotë ministri "ik se kam punë tjetër".
Ne nuk jemi për t'u marrë me histori të njëri-tjetrit, por me çështje të rëndësishme. Nuk mundet, jo Ministri, as Kryeministri por askush s'mund të tallet me qytetarët.
 
Paulin Sterkaj: A ke mundësi të na dëgjosh? Ne e çmojmë jo të drejtë për të vazhduar me këtë komision.
 
Flamur Noka: Ka një Byro që merr vendim. Ju mund të kërkoni edhe pushkatim ore, por nuk ndodh kjo.
 
Pjerin Ndreu: Ne do të thërrasim të gjitha institucionit, edhe ministrin Tahiri. Megjithatë sot unë të kërkoj që sot të anulohet mbledhja, ne jemi të fyer nga sjellja juaj.
 
Flamur Noka: Ministri ju trajtoi sikur nuk ekzistoni.
 
(Deputetët e PS ngrihen nga karrigia dhe lënë mbledhjen)

Ndreu-Çakos: Mbledhja e pavlefshme pa kuorum, dil nga komisioni
Deputeti socialist, Pjerin Ndreu, teksa po linte mbledhjen e komisionit hetimor për "IMSI Catcher", i kërkoi edhe drejtorit të Policisë të dalë nga komisioni. Sipas tij, komisioni nuk ka kuorum dhe mbledhja është e pavlefshme.

Siç duket edhe nga këto pamje të siguruara nga Shqiptarja.com, Pjerin Ndreu i afrohet drejtorit të Policisë, Haki Çako ku i kërkon të lërë komisionin.

Çako largohet nga mbledhja: Hera e dytë që dëshmoj për të njëjtën gjë 
Edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako, është larguar nga mbledhja e komisionit hetimor për pajisjen e përgjimit. Gjatë dëshmisë së tij, Çako është shprehur se në komision po përsërit ato që ka thënë një mbledhje më parë. 

"Është hera e dytë që jam këtu për të njëjtën çështje. S'e quaj të arsyeshme të përsëris të njëjtat gjëra. Të bëjmë shou mediatikisht ose në aspekte të tjera. Duke iu falenderuar për mirëkuptimin, shpreh gatishmërinë time se jam dhe do të jem në dispozicion të çdo hetimi parlamentar ose penal, përsa kohë i gjithë hetimi administrohet nga prokuroria dhe është vetëm ajo që gëzon të drejtën e nxjerrjes së elementëve të këtij hetimi. Respektoj principet e moralit profesional si drejtor Policie", tha Çako.  

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

‘Giro d’Italia 2025’ nis nga Shqipëria, jehonë në mediat e huaja

‘Giro d’Italia 2025’ nis nga Shqipëria, jehonë në mediat e huaja