'Peshqit'/Banesa, para dhe
mbrojtje për njerëzit e SPAK-ut

'Peshqit'/Banesa, para dhe<br />mbrojtje për njerëzit e SPAK-ut<br /><br>
Viti 2018 do të shënjojë finalizimin e zbatimit të Reformës në Drejtësi, me të cilën lidhet edhe fati i ‘peshqve të mëdhenj’ të krimit dhe korrupsionit në Shqipëri. Gjatë këtij vitit, qeveria dhe parlamenti kanë planifikuar miratimin e 27 projektligjeve dhe vendimeve të reja, në kuadër të ngritjes së drejtësisë së re.

Shqiptarja.com zbardh listën me nismat ligjore që do të miratohen, jo vetëm për të mundësuar funksionimin e drejtësisë së re, por edhe për të shkurtuar rrugën e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Disa nga ligjet dhe vendimet parashikojnë ngritjen dhe veprimin e organeve të reja antikorrupsion, konkretisht të Byrosë Kombëtare të Hetimit, Prokurorisë së Posaçme dhe Gjykatave Speciale, të cilat përbëjnë atë që quhet SPAK.

Tek kjo superstrukturë janë përqendruar të gjitha shpresat dhe pritshmëritë për shembjen e murit të pandëshkueshmërisë në Shqipëri. Në këtë kuadër, punonjësve të organeve antikorrupsion, për shkak të detyrës që do t’u besohet, do t’u garantohet mbrojte e veçantë, banesa si dhe trajtim financiar dinjitoz.

Njerëzit e SPAK-ut dhe familjarët e tyre do të merren nën mbrojtje nga çdo rrezik i mundshëm, ndërsa të gjitha komunikimet dhe lëvizjet e tyre do të mbikëqyren nga një njësi e posaçme. Ata mund të marrin kredi të financuar nga shtetit, për të blerë shtëpi të reja në qendrat e qyteteve ku ushtrojnë detyrën. Punonjësit e këtyre organeve janë gjithashtu imunë ndaj çdo sulmi nga ana e politikës.

Në planin e qeverisë, po ashtu është parashikuar miratimi i dy projektvendime mbi ruajtjen e sigurisë në mjediset e Byrosë së Hetimit dhe Prokurorisë së Posaçme si dhe për sigurinë e personelit të gjykatave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Dy nisma të tjera do të miratohen për strukturën dhe pagat e nëpunësve civilë të gjykatave dhe prokurorive. Disa projektligje dhe vendime të tjera kanë të bëjnë me sistemin e burgjeve.

Dosjet dhe funksionarët që do jenë objekt i SPAK-ut
Në kompetencë të Byrosë së Hetimit dhe Prokurorisë së Posaçme do të jenë 40 vepra të ndryshme penale dhe të gjitha dosjet e funksionarëve dhe ish-funksionarëve shtetërorë që nuk janë hetuar apo gjykuar deri më sot. Disa nga veprat penale që do hetohen nga Byroja dhe do gjykohen nga Gjykatat e Speciale janë korrupsioni pasiv dhe aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë si dhe korrupsioni aktiv dhe pasiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë.

Gjithashtu, në kompetencë të organeve të SPAK-ut do të jenë çdo vepër penale që dyshohet se është kryer apo që është kryer nga funksionarë apo ish-funksionar shtetëror që nga viti 1991 deri në ditët sotme. Pra, çdo aktivitet i paligjshëm i zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve që pas rënies së regjimit komunist, mund të hetohet dhe gjykohet. Objekt i Byrosë Kombëtare të Hetimit, Prokurorisë së Posaçme dhe Gjykatave Speciale do të jenë veprat penale të presidentit dhe ish-presidentëve, kreut të kuvendit dhe ish-kryetarëve të Kuvendit, kryeministrit dhe ish-kryeministrave, ministrave dhe ish-ministrave, të të gjithë deputetëve dhe ish-deputetëve, të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, të kryeprokurorit dhe ish-kryeprokurorit, të krerëve të organeve të reja të drejtësisë dhe të drejtuesve të institucioneve qendrore apo të pavarura që nga viti 1991.

Ndërkaq, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me anë të ekspertëve të FBI dhe të drejtësisë penale, do të mundësojnë mbikëqyrjen dhe kontrollin e veprimtarisë së Byrosë Kombëtare të Hetimit, duke marrë pjesë edhe në hetime të caktuara. 


Nisma e parashikuara për miratim

Projektvendim për përcaktimin dhe miratimin e buxhetit fillestar të SPAK.
Projektvendim për procedurën e detajuar për kredinë për shtëpi për magjistratët dhe marrëveshjet me bankat.
Projektvendim mbi ruajtjen e sigurisë në mjediset e gjykatave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, të Prokurorisë së Posaçme dhe të Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Projektvendim mbi procedurën e sigurisë së personelit të gjykatave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Projektvendim për rregullat dhe procedurat për mbrojtjen e veçantë të magjistratit gjatë ushtrimit të funksionit ose për shkak të tij.

Projektvendim mbi strukturën dhe rritjen e pagave për nëpunësit civilë gjyqësor.
Projektvendim mbi strukturën dhe rritjen e pagave për nëpunësit civilë të prokurorisë.
Projektvendim për miratimin e rekomandimeve prioritare për Prokurorin e Përgjithshëm, në luftën kundër kriminalitetit, për vitin 2018.
Projektvendim mbi krijimin e kushteve për inspektorin e lartë për verifikimin e plotësimit të kushteve dhe kritereve ligjore, verifikimin e figurës dhe pasurisë së kandidatëve jomagjistratë.
Projektvendim mbi të drejtat dhe detyrimet gjatë transferimit të punonjësve civil dhe punonjësve të tjerë të Prokurorisë së Përgjithshme si pjesë e administratës së KLP-së.
Projektvendim mbi të drejtat dhe detyrimet gjatë transferimit të punonjësve të zyrës së administrimit të buxhetit gjyqësor si pjesë e administratës së KLGJ

Projektvendim për politikat shtetërore për sistemin e teknologjisë së informacionit për sistemin e drejtësisë.
Projektvendim për krijimin e Institutit të Mjekësisë Ligjore.
Projektligj për policinë e burgjeve.
Projektligj për funksionimin e kontrollit të brendshëm në sistemin e burgjeve.
Projektligj për trajtimin e të dënuarve me burgim dhe paraburgosurve.
Projektligj për Shërbimin e Provës.

Projektvendim për procedurën që zbatohet nga ana e Shërbimit të Provës, në rastet kur çmon mospërmbushjen e masës së shmangies nga ndjekja penale.
Projektvendim mbi funksionimin e mjediseve dhe përcaktimin e nivelit të sigurisë të tyre, standardet e programeve të edukimit dhe të rehabilitimit, në rastet e kufizimit të lirisë të të miturve.
Projektvendim mbi autoritetet përgjegjëse për zbatimin e vendimeve të gjykatave për përmbushjen e detyrimeve nga i mituri në konflikt me ligjin.
Projektvendim për organizimin dhe funksionimin e Qendrës së Parandalimit të Krimeve të të Miturve dhe të Rinjve.
Projektvendim për Sistemin e integruar të të dhënave të drejtësisë penale për të mitur.

Projektvendim për nxitjen dhe shpërblimin e punës së të burgosurve.
Projektvendim për miratimin e rregullores së Policisë së Burgjeve.
VKM Për përcaktimin e ngjyrës, uniformës dhe të shenjave dhe mjeteve të Policisë së Burgjeve.
VKM për trajtimin financiar të punonjësve të Policisë së Burgjeve.
VKM për miratimin e rregullores se Përgjithshme të Burgjeve. 

d.c./shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ikën Rrumbullaku dhe 12 drejtorët e policive në qarqe, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Liga e Kombeve/ Kosova mposhtet 0-3 në Prishtinë, Belgjika leksion Izraelit! Interi nderon Italinë, të kaltrit përmbysin 1-3 Francën në Paris

Liga e Kombeve/ Kosova mposhtet 0-3 në Prishtinë, Belgjika leksion Izraelit! Interi nderon Italinë, të kaltrit përmbysin 1-3 Francën në Paris