Krerë dhe ushtarë të UÇK-së nga zona e Drenicës dhe Dukagjinit, si dhe pjesëtarë të tjerë të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që kanë operuar në Rahovec do të përballen nga janari i vitit të ardhshëm me disa akuza që do të ngrihen nga Task Forca Speciale e Hetimeve dhe që do të trajtohen nga Gjykata Speciale për Krime Lufte.

Lajmi bëhet i ditur nga mediat kosovare sipas të cilave kryeprokurori amerikan Clint Williamson, që po heton pretendimet e raportit të Dick Martyt, është afër mbylljes së hetimeve trevjeçare.

Sipas mediave kosovare hetimet nuk kanë sjellë prova për të faktuar dyshimet për krime lufte që kishte ngritur raporti i Dick Martyt në Këshillin e Europës. Mësohet se nga heimet ka rezultuar se ushtarët e UÇK-së nuk kanë bërë trafikim organesh ndërsa pritet të hidhet poshtë “idea e shtëpisë së verdhë”.

Megjithatë, siç theksojnë mediat kosovare, gjatë hetimeve janë gjetur prova për disa krime të kryera nga ish-pjesëtarët e UÇK-së pas përfundimit të bombardimeve të NATO-së. Në këtë kuadër një grup prej 10-20 pjesëtarë të UÇK-së pritet që të jenë të akuzuar për tri akuza që do të ngrihen pasi të vihet në funksion Gjykata Speciale. 

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)