I kooptuar në kryesinë e Partisë Demokratike vetëm pak ditë më parë, pas emërimit nga kryetari Lulzim Basha në krye të departamentit për “Kontributet Historike”, ish ministri i Bujqësisë, Jemin Gjana deklaron se do të rikthejë në PD edhe Ylli Pangon.

Teksa sqaron angazhimin e tij më të ri në PD, përmes një statusi në Facebook, Gjana thotë se detyrë e tij do të jetë rikthimi i figurave me kontribute në Partinë Demokratike. Dhe mes figurave që pritet të rikthehen në PD-në e Bashës, krahas Ilir Banos, Gëzim Ziles, Luan Skuqit, Astrit Bushatit, Tahsim Memës, Alfred Ollit, është edhe ajo e Ylli Pangos, ish ministrit të larguar nga skena politike pas skandalit seksual në vitin 2009.

“Angazhimi im i sotëm bashkë me kolegë të mi si Ilir Bano, Gëzim Zilja, Luan Skuqi, Buron Kaceli, Pal Dajçi, Fredi Olli, Astrit Bushati, Marjeta Zaçe, Osman Metalla, Agron Coku, Astrit Memia, Tasim Mema, Ylber Vata, Ibrahim Morina, Rruzhdi Keci, Galip Ramadhi, Ylli Pango dhe disa të tjerë që po bashkëlidhen përditë, është të ndërtojmë një Departament këtu në selinë Qendrore të PD dhe nga një të tillë në 51 Degët e PD, me qëllim sistemimin e të dhënave për të gjitha burimet njerëzore me të cilat PD ka drejtuar në parti dhe në qeverisje në këto 25 vite”, shkruan në Facebook, Gjana. 

Redaksia Online
(f.s/shqiptarja.com)