'T'i hiqet imuniteti', Prenga:Po të
 doja të qëlloja Calin e kisha vra!

'T'i hiqet imuniteti', Prenga:Po të<br /> doja të qëlloja Calin e kisha vra!
TIRANË - Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin në kryesinë e Kuvendit të Shqipërisë pasi ka dëgjuar përfaqësuesin e Prokurorisë së Përgjithshme dhe palën mbrojtëse si dhe vetë deputetin Armando Prenga u tërhoq rreth orës 20:51 për të marrë një vendim lidhur me kërkesën e prokurorisë. Vetëm 7 minuta më pas, Këshilli bëri të ditur se kishte vendosur për të pranuar kërkesën e Prokurorisë së Përgjithshme per arrestimin e Prenges.

Propozimi i prokurorisë tashmë pritet të miratohet nga Kuvendi, që do t'i hapte rrugën arrestimit të deputetit. 

21:20 Strazimiri: Kemi dy vite që kemi denoncuar inkriminimin e mazhorancës
Deputeti i Partisë Demokratike, Gent Strazimiri i cili është dhe anëtar i Këshillit të Rregullores, Mandateve dhe Imuniteteve, pas mbledhjes u shpreh se, vendi drejtohet nga një bankë kriminale. Strazimiri deklaroi se kjo që po ndodh nuk është një gjë e re, pasi opozita këto i ka denoncuar që prej dy vitesh.
 
Deklarata e Gent Strazimirit:

U vendos t’i hapet rrugë Prokurorisë për hetimin e mëtejshëm dhe t’i hiqet imuniteti i deputetit Prenga. Unë do të doja të theksoja që kemi 2 vjet që ky vend drejtohet nga një bandë kriminale, nga një mazhorancë e inkriminuar autorë të secilës janë Edi Rama dhe Ilir Meta. Aktualisht nuk patë asgjë të re dhe opinioni publik dhe të gjithë bashkë u bëmë dëshmitarë të puntatës më të fundit të një seriali kriminal i cili si regjisor, producent dhe skenarist ka Edi Ramën dhe Ilir Metën në mënyrë të qëllimshme dhe në mënyrë shumë të kujdesshme. Nëse bëni retrospektivën e ngjarjeve do të arrini të gjeni që një nga një po mbushet lista e atyre që ka denoncuar opozita që prej 2 vitesh. Është një mazhorancë e kriminalizuar që ka kriminalizuar shtetin.

Secili prej nesh duhet t’i bëjë pyetjen vetes se pse kur shikon polic në rrugë largohet me vrap duhanshitësi i cigareve, ai ambulanti dhe jo shpërndarësi i drogës. Pse kur shikon polic në rrugë largohet me vrap fshatari që mbjell duhan dhe jo ai që mbjell kanabis. Të gjithë bashkë duhet ti bëjmë pyetjen vetes si shoqëri se përse dridhet nga frika ai që ka ndërtuar një strehë për fëmijët e tij apo një biznes të vogël, një dyqan të vogël, dhe jo ata që në mënyrë të papërgjegjshme po gllabërojnë çdo centimetër, çdo gram të pasurisë kombëtare. Pse ka frikë qytetari nga policia ndërsa krimineli arrin të futet deri në komisariat me dy armë, jo më një, dhe arrin të sfidojë shtetin duke plagosur 7 persona mu në derën e komisariatit.

Mendoj se është një sfidë e madhe e shoqërisë, është kauza e shoqërisë. Është shumë më tepër se kauza e opozitës. Ka dy vite që është kauza e opozitës megjithëse disa thonë që kjo është kauzë pa kauzë. Sot është kauza e të gjithë shoqërisë. Është një gjë që e ka kaluar konfliktin politik dhe përmasat e tifozllëkut politik midis forcave të majta e të djathta. Po na mbyt krimi nuk ka nevojë të gjejmë modele të tjera. Shqiptarët e kanë bërë njëherë mrekullinë. Në vitin 1990, nëse kauza do të ishte vetëm e atyre të pushkatuarve pa gjyq apo e 75 mijë të burgosurve në mënyrë të padrejtë nga regjimi komunist, sigurisht që akoma sot do të kishim Ramiz Alinë të gjallë në pushtet. Ajo u bë kauza e të gjithë shqiptarëve pavarësisht se kishin apo jo teserë ndaj dhe ai regjim u shemb. Kjo është thirrja që kam sot. Të gjithë bashkë duhet të kuptojmë që nuk mund të kemi frikë nga shteti i kriminelë. Shteti i kriminelëve është vetëm për t’u rrëzuar.

Armando Prenga

21:16 Kërkesa shqyrtohet nesër në Kuvend
Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin u mblodh nën drejtimin e Kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta për shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë së Përgjithshme për dhënie autorizimi për arrestimin e deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, Armando Prenga.
Fillimisht, anëtarët e Këshillit dëgjuan përfaqësuesit e Prokurorisë së Përgjithshme, avokatin mbrojtës si dhe deputetin, Armando Prenga.
Pas shqyrtimit të dokumentacionit të paraqitur nga Prokuroria, Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin vendosi miratimin me konsensus kërkesën e Prokurorisë.
Raporti i Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin do të shqyrtohet nesër në seancë plenare, datë 7 shtator 2015.

keshilli i imuniteteve

20:40 Diskutimet në Këshill
Dokle:
Thuhet që është përdor një armë pistoletë që janë gjetur 5 gëzhoja dhe automatik që janë gjet 4 gëzhoja. Pistoleta thatë se është e deputetit, po automatiku?
Prokurori: Është vetëm faza fillestare e hetimit paraprak. Duke qenë se dua të ruaj sekretin e hetimit paraprak, do të verifikohen të gjitha të dhënat. Dyshimi ynë është që janë përdorur dy armë zjarri. Është sekuestruar një automatik dhe do të ekspertohet për të përcaktuar nëse është përdorur dhe përcaktimi i personit që e ka përdorur.
Hysi: Tom Çali ka dalë se është plagosur rëndë në këmbë? Të plagosurit kanë mësuar indirekt se janë plagosur nga Armando?
Prokurori: Nuk ka ardhur akti i ekspertimit. Lidhur me pyetje ne dytë, referimi është për dëshmitë indirekte. Kanë referuar që i kanë mësuar nga persona të tjerë.
Dokle: I plagosuri nuk është pyetur?
Prokurori: Jemi të detyruar të mbajmë rezerva për sekretin e hetimeve paraprake.
Strazimiri: Nga relacioni del se në vendngjarje janë gjetur gëzhoja nga të dy armës. Armando Prenga rezulton dhe shenja baruti në duar dhe një person tjetër.


20:30 Armando Prenga: Do të pres vendimin e drejtësisë
Deputeti Armando Prenga duke folur në Këshillin e Imuniteteve akuzoi se policia nuk ka bërë mbikëqyrjen e ngjarjes. Prenga mohoi të jetë përfshirë në konfliktin e ndodhur pranë Komisariatit të Policisë në Laç si dhe mohoi të ketë përdorur një pistoletë tjetër nga ajo që ka me leje.

“Do të ishte një nga viktimat, do të isha si Fatmir Xhindi ku ju do të më bënit hero kombëtar, por sot jam i arrestuar. Kam shku dhe kam gjet vëllanë tim dhe shokun e vëllait të plagos. Nuk kam hy në konflikt. Pse duhet të përdorja armë pa leje kur kisha armë me leje. Pse duhet të merrja kallash. Unë nuk kam mbajt armë asnjëherë. Do jem i durueshëm, do pres vendimin e drejtësisë, por po ju them që ky është një sajim dhe trillim nga komisionerët e PD-së që e kishin Lagunën prej 10 vitesh. Shkoni pyesni ca opinioni kanë. A kanë rraf Armando Prengën apo kanë rraf edhe të tjerë. Calët kanë qenë shpesh herë në akuzë. Vëllai im i ka denoncuar 3-4 herë. Po të isha për të qëlluar mbi Calat, e kisha vra”, u shpreh deputeti.

Prenga më tej shtoi se “kjo ishte e vërteta trillime të tjera të mos i përpunojmë. Nëse kam bo ndonjë gabim do të përballem me ligjin. Nëse do e kisha bo një gjë të tillë do ta kisha nënshkruar vetë dorëheqjen nga mandati. Nuk kam qenë asnjëherë pjesë e asnjë klani. Kam pa vetëm hallet e mija. Jam i martuar dhe kam dy fëmijë.” 

20:20 Avokati: Ja e vërteta e ngjarjes në Laç
Avokati i deputetit Armando Prenga duke folur në Këshillin e Imuniteteve tha se, “në mënyrën më të paprecedentë, janë shkelur të gjitha standardet më elementare” në hetimin e kësaj ngjarjeje. Baftjar Rusi u shpreh se, prokuroria tërësisht e pabazuar dhe në shkelje të kushtetutës sesi ka vepruar në rastin e ndalimit të deputetit. “Nëse do të bëjmë precedent mund të bëjmë viktimë në të ardhmen përfaqësues të popullit”, tha ia.

Avokati tha se, Prenga ka dhënë dëshmi më datë 5 shtator në orën 00:10 ka dëshmuar në polici duke shpejguar në mënyrë të hollësishme, por “prokuroria nuk i ka prekur provat dhe policia as nuk është bërë merak”.

“Pasi ka mbaruar ndeshja, aty ka parë dy kalamaj të vegjël. U ka thënë ca doni këtu. Nuk ka bërë asnjë fjalë një prej tyre ishte djali i Gjok Calit. Pasi ka përshkuar 5 km me makinë, Prenga nga Patoku drejt Kurbinit një “Benz” i ka prerë rrugën duke i bllokuar rrugën. Aty ka zbritur një person me shpejtësi me një thikë të madhe në dorë duke i thënë deputeti zbrit nga makina. Nga sulmi i menjëhershëm me thikë, duke qenë përpara tentativës duke tërhequr dhe hapur me zor derën, ka nxjerr pistoletën një tip Barretë dhe ka qëlluar njëherë në ajër për të larguar rrezikun. Pasi ka qëlluar ky person është larguar me vrap dhe ka hedhur në thikën”, u shpreh avokati.

Rusi më tej nënvizoi se, Prenga pas kësaj ngjarje ka pastruar armën dhe ia ka dorëzuar bashkëshortes së tij dhe më pas i ka kërkuar vëllait të tij të bëjë kallëzim në polici për incidentin ne Gjok Calin.

Avokati pretendon se Armando Prenga nuk ka qenë në ambientin e jashtëm të lokalit ku ka ndodhur përleshja mes dy familjeve. Rusi tha se deputeti ka qenë rreth 500 metra larg komisariatit. Sipas tij kjo mund të vërtetohet nga kamerat e sigurisë dhe akuzoi se policia ka dy variante për ngjarjen.  

“Nuk e thotë asnjë nga policët që ka qenë aty se Armando Prenga ka qëlluar me armë zjarri. Kush shkon të përleshet në oborrin e komisariat të policisë? Si mundet që Gjok Cali ka qenë në hundën e policisë me armë zjarri dhe thikë? Pse u lejuan gjithë ata persona me armë të ftohtë? Si është e mundur që ka të plagosur nga të dy palët kur këta kanë qenë të pajisur me armë zjarri? Relacioni është shumë i gabuar. Relacioni nuk shoqërohet me asnjë provë”, tha avokati.

Sipas Baftjar Rusit “mediet dhe partia e tij është marrë me Armando Prengën dhe nuk është marrë me ngjarjen” dhe se klienti i tij po “bëhet pre”. Ai gjithashtu tha se Prenga nuk është arrestuar në flagrancë por është paraqitur vetën në komisariat.

“Nga përfaqësues i popullit të përfundosh si një njeri i zakonshëm... të bëhet kokë turku. Ku është arresti në flagrancë kur Armando Prenga ka shkuar vetë...  Në orën 02:30 ku shkon me makinë e vet dhe më pas i pritet fletëarresti. A mund të quhet arrestim në flagrancë ky?”, përfundoi avokati.

19:50 Prokurori: Prenga ka qëlluar në dy raste me pistoletë
Prokurori Altin Binaj ka paraqitur në Këshillin e Imunitetit thelbin e kërkesës së Prokurit të Përgjithshëm për procedimin penal të deputetit Armando Prenga. Binaj deklaroi se, nga hetimet rezulton se Prenga ka përdorur dy herë armë zjarri. Sipas prokurorisë vetë Prenga nuk ka pranuar të ketë qenë pjesë e sherrit para komisariatit.
Binaj tha se rrezikshmëria e veprave paraqitet e lartë dhe se Prenga nga akuzat rrezikon maksimumi një dënim me 15 vjet burg.

Duke sqaruar ngjarjen për të cilën dyshohet Prenga, prokurori tha se, “më datë katër shtator rreth orës 22:30, Penga ka shkuar tek lokali i Çalit ku ka kontaktuar me Dorjan dhe Emiljan Cali, ku ka debatuar për Lagunën e Patogut. Dorjan Cali ka njoftuar babain e tij me telefon. Gjatë rrugës për në lokal është përballur me Armando Prengën. Gjok Cali dhe Prenga kanë ndaluar automjetet dhe kanë kërkuar shpjegime për përplasjen me të bijtë dhe më pas janë konfliktuar. Prenga ka nxjerr pistoletën dhe e ka qëlluar me qytën e pistoletës në kokë dhe më pas ka qëlluar në ajër. Më pas ka bërë njoftim në polici. Gjok Cali bashkë me të afërmit e tij janë nisur për në Komisariatin e Policisë Kurbin. Gjok Cali ka hyrë brenda për të bërë kallëzim penal, në këtë moment është afruar Armando Prenga i shoqëruar nga vëllai i tij. Armando Prenga ka përdorur një armë nga të shtënat është plagosur në këmbë Cali. Janë përdorur edhe armë të ftohta ku janë plagosur disa persona. Policia ka arrestuar Prengën”.

Prokurori tha se në vendngjarje janë gjetur 9 gëzhoja 4 automatik dhe 5 pistoletë dhe se nga verifikimi i Policisë Gjyqësore ka rezultuar se Armando Prenga ka qëlluar me pistoletë. Binaj tha se arme për të cilën Prenga kishte leje i është sekuestruar bashkëshortes së deputetit më 5 shtator dhe rezulton se nuk është përdorur në ngjarjen e Laçit.

keshilli

19:30 Prenga me furgon policie në Kryesi

Deputeti i Lezhës, Armando Prenga do të jetë i pranishëm në mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin në kryesinë e Kuvendit të Shqipërisë. 41-vjeçari i arrestuar në flagrancë për shkak të përfshirjes në ngjarjen e Laçit është shoqëruar me furgon policie nga Drejtoria e Policisë së Tiranës për në Kryesinë e Kuvendit.

Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin do të shqyrtojnë  kërkesën e Prokurorit të Përgjithshëm të Republikës së Shqipërisë për dhënien e autorizimit për ndekje penale të Prengës.

Deputeti i Kuvendit të Shqipërisë mbahet në Drejtorinë e Policisë Tiranë prej të shtunës në mëngjes pas arrestimit në lidhje me përfshirjen në ngjarjen e Laçit.

Në përfundim të dëgjesës, Këshilli do të hartojë raportin për seancën plenare të Kuvendit ku rekomandohet rrëzimi ose miratimi i dhënies së autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ndaj deputetit.
 
Pasi do të dëgjohet edhe në seancë plenare deputeti i akuzuar, Kuvendi vendos me votim të fshehtë nëse do të jepet ose do të rrëzohet dhënia e autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ndaj deputetit.
 
Kjo është hera e tretë për këtë legjislaturës që Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin mblidhet për t’i hapur rrugën hetimit të një përfaqësuesi të popullit në parlament. Më parë, Këshilli është mbledhur për Tom Doshin dhe Mark Frrokun.

Përbërja e komisionit është pesë nga mazhoranca dhe pesë nga opozita.

furgoni
(Furgoni i policisë duke transportuar Armando Prengën në Kryesi)

  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se protestat mund ta forcojnë pozicion politik të PD-së?



×

Lajmi i fundit

Ivi Kaso flet për bisedat me Salianjin, mandatin e Manos dhe protestën: Andrean s’e shoh te Basha, Ervini më tha...

Ivi Kaso flet për bisedat me Salianjin, mandatin e Manos dhe protestën: Andrean s’e shoh te Basha, Ervini më tha...