'Vëllai i madh iu vëzhgon'! Izraeli
'blindohet' me kamera 'spiunimi'

'Vëllai i madh iu vëzhgon'! Izraeli<br />'blindohet' me kamera 'spiunimi'<br>
Izraeli vëzhgon me rreth 60 kamera zonën përreth Portës së Damaskut të kompleksit Al Aksa në Kudsin Lindor nën okupim, e cila u shndërrua në një prej pikave ku palestinezët protestuan kundër vendimit të SHBA-ve për njohjen e Kudsit si kryeqytet të Izraelit, raporton Anadolu Agency (AA).

Qeveria izraelite së fundmi ka vendosur 11 kamera të reja vëzhguese me rezolucion të lartë në rrugën "Sulltan Sulejman” para Portës së Damaskut, që paraqet një prej hyrjeve kryesore në Kudsin Lindor.

Siç bëhet e ditur, të gjitha kamerat do të përcillen nga stacionet izraelite të vendosura në qytetin e vjetër dhe do të mundësojnë pamje me cilësi të lartë natën dhe ditën, në çfarëdo lloj kushte atmosferike dhe do mundësojnë edhe identifikimin e personave në lëvizje të shpejtë.

Ekspertët vlerësojnë se pamjet e kamerave do të mund të përcillen nga maksimum 14 persona dhe se çmimi i një kamere të vetme varion nga 3.000 deri në 3.500 dollarë.

Palestinezët e intervistuar nga AA thonë se kamerat e teknologjisë së lartë të vendosura në krye të rrugëve nga qeveria izraelite mund të depërtojnë edhe brenda shtëpive dhe se në këtë mënyrë injorohen të gjitha rregullat e privatësisë.

Tarik Gusha, një punonjës montazhe në një ndërmarrje private për distribuim të kamerave të sigurisë, tha se kamerat e vendosura nga qeveria e Izraelit janë të teknologjisë më të fundit.

Gusha, sipas të cilit kamerat në fjalë përdoruesve mund t’u përçojnë analiza nga zonat e xhiruara, thotë se ato mund të japin informacione për veshjet dhe pankartat e shkruara që mund të mbajnë njerëzit dhe shtoi se kamerat mund të bëjnë edhe analiza të ndryshme për sa i përket dendshmërisë dhe lëvizshmërisë.

“Vëllai i madh ju vëzhgon”
Avokatja palestineze dhe aktivistja e të drejtave të njeriut, Nesrin Aljan, kritikoi "masat e sigurisë" të Izraelit, duke cituar librin “1984” nga George Orwell.

“Kjo që po bën policia e Izraelit, është e ngjashme me shprehjen 'Vëllai i madh po të vëzhgon' në librin '1984' të George Orwellit. Nuk ka mbetur privatësi në shtëpi. Me këto kamera të vendosura në krye të rrugëve, mund të vëzhgohet edhe brendia e shtëpive”, thotë ajo.

“Sado që Izraeli thotë se këto kamera i ka vendosur për nevoja të sigurisë, këto pamje do të dorëzohen në gjykatë si dëshmi kundër palestinezëve”, shtoi Aljan. Rrethina e Portës së Damaskut është një nga zonat ku Izraeli punon një kohë të gjatë. Qeveria e Izraelit së fundmi ka ndërtuar një "zyrë dy dhomëshe" për policët dhe ushtarët izraelitë që mbajnë kujdestari.

Policia e Izraelit të premten e kaluar vendosi barrikada të hekurta në rrethinën e Portës së Damaskut në mënyrë që të pengojë tubimin dhe protestat e palestinezëve, megjithatë, muslimanët që dilnin nga xhamia Al Aksa protestuan afro dy orë brenda asaj zone të ngushtë, duke brohoritur slogane kundër vendimit të Trumpit për Kudsin.

Okupimi gjysmëshekullor i Kudsit
Izraeli, i cili më 5 qershor të vitit 1967 okupoi Kudsin Lindor, në vitin 1980 në mënyrë të njëanshme e shpalli pjesën lindore dhe perëndimore të qytetit si "kryeqytet të bashkuar". KS-OKB, përmes rezolutës 478 të miratuar në vitin 1980, e shpalli të pavlefshëm aneksimin e Kudsit Lindor dhe shpalljen e Kudsit si kryeqytet nga ana e Izraelit.

Në kuadër të rezolutës së KS-OKB-së, komuniteti ndërkombëtar, përfshirë SHBA-të, pranojnë se Kudsi Lindor gjendet nën okupim. Të gjitha shtetet që njohin qeverinë izraelite kanë ambasadat e tyre në Tel Aviv. Asnjë shtet nuk e pranon Kudsin ose pjesën lindore dhe perëndimore të tij si kryeqytet.

Bisedimet për paqe mes Izraelit dhe Palestinës u ndërprenë në prill të vitit 2014, pasi Izraeli "nuk pranoi kufijtë e vitit 1967, kthimin e palestinezëve të dëbuar dhe ndalimin e ndërtimit të vendbanimeve të reja kolone hebreje".

d.c./shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    FSHF rinovon kontratën me trajnerin e Kombëtares Sylvinho, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Dash Sula kritika për draftin e Zgjedhores: E keni sjellë në Komision gjysmë ore para, e keni vulosur! Gjithçka tjetër kot

Dash Sula kritika për draftin e Zgjedhores: E keni sjellë në Komision gjysmë ore para, e keni vulosur! Gjithçka tjetër kot