Buxheti i Ministrisë së Jashtme për vitin 2027 është rritur me 85%, ndërsa 180 milionë lekë janë parashikuar për aktivitete që lidhen me anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Në një intervistë për Report Tv, ministri Ferit Hoxha tha se misioni shqiptar në Bruksel do të ketë nevojë për 60–80 punonjës kur vendi të bëhet anëtar i BE-së. Aktualisht, misioni ka rreth një të katërtën e këtij personeli.
Me buxhetin 3.91 mld lekë, ministri Ferit Hoxha thotë për gazetarin Nertil Agalliu se ky është buxheti më i madh ndonjëherë në historinë e diplomacisë shqiptare dhe në qendër të tij është mbështetja e procesit të anëtarësimit.
Pyetje: Në komisionin parlamentar për Evropën dhe Punët e Jashtme, deklaruat se buxheti 2027 është një investim në kapacitetin ndërkombëtar të Shqipërisë dhe në përgatitjen e saj për të qenë anëtar i Bashkimit Europian. Mund të na thoni si i mbështet ky buxhet konkretisht, përpjekjet e diplomacisë shqiptare në rrugën drejt BE?
Ferit Hoxha: Është buxheti më i madh ndonjëherë në historinë e diplomacisë shqiptare. Është një buxhet i orientuar drejt investimeve për ta bërë Shqipërinë europiane dhe për të arritur sa më shpejt atë që synojmë, që të jemi një partner i besueshëm në tryezën e ardhshme europiane. Në qendër të tij është mbështetja e procesit të anëtarësimit. Janë parashikuar 180 milionë lekë për aktivitete të dedikuara që lidhen me anëtarësimin në BE.
Pyetje: A do të ketë rritje të numrit të personelit, më shumë fonde për ambasadat apo rritje të mbështetjes financiare për diplomatët?
Ferit Hoxha: Do të forcojmë kapacitetet në misionin tonë në Bruksel. Do të kemi nevojë për një mision me rreth 60–80 anëtarë, sa ka sot edhe vendi më i vogël anëtar i BE-së. Kur të jemi vend anëtar, personeli do të vijë nga Ministria e Jashtme dhe nga të gjitha fushat e veprimit të BE-së. Sot kemi rreth një të katërtën e këtij numri. Angazhimi im është të kemi personelin që na duhet për të mbrojtur interesat e vendit atje.
Duam të forcojmë kapacitetet në vendet anëtare, që përfaqësitë tona të kenë më shumë njerëz, energji dhe besim. Ky është thelbi i procesit, të jemi të besueshëm në Tiranë, në Bruksel dhe në çdo kryeqytet europian.
Do të bëjmë çfarë të jetë e mundur për të mbështetur sot eksportet shqiptare në tregun europian, në mënyrë që nesër të jemi sa më të përgatitur për të konkurruar.
Buxheti i Ministrisë së Jashtme është rritur me 85%. Jemi pothuajse në dyfishimin e gjithçkaje. Do të bëjmë një vlerësim që të pasqyrojë sa më mirë rezultatet dhe do të përpiqemi t’i shpërblejmë, me bonuse apo në forma të tjera, ata që janë në vijën e parë dhe që japin më shumë rezultate.
Lajmi kryesor:
LIVE TV - Nga shtyrja e samitit të NATO-s te buxheti për diplomacinë e rruga drejt BE-së, ministri Ferit Hoxha intervistë në Report Tv






