Prej katër ditësh qytetarët e Vlorës janë duke u përballur me mungesën e ujit të pijshëm. Gjergji Nika, anëtari i Këshillit Bashkiak të PD, Vlorë tha në ‘Sot Live në Shqipëri’ se qyteti ndodhet në situatë kaotike.
“Ky është një shqetësim që e kemi prej dy vitesh. Aktualisht bashkia zotëron 43% të ujësjellësit ndërsa pjesën tjetër e ka Ministria e Infrastrukturës. Aty është dëmtuar një tub që prej datës 25. Sado që të mundohen që ta fshehin është një rast emergjent. Sot në Vlorë rrezikon të shpërthejë ndonjë pandemi sepse, spitalin po furnizon zjarrfikësja ashtu si institucionet e tjera”, tha Gjergji Nika.
Ndër të tjera ai nënvizoi se edhe pse është në ujësjellës është investuar 80 milionë euro, qytetarët sërish kanë problematika me furnizimin me ujë.
“Në dy tre vitet e fundit është investuar 80 milionë euro dhe ne akoma nuk kemi ujë apo kemi problematika me ujin. Situata është kaotike, janë mbledhur të gjithë te ajo gropa që kanë hapur, kalojnë të gjithë deputetët, e kanë bërë si atraksion turistik, bëjnë foto dhe pastaj secili ikën nëpër shtëpitë e tyre”, tha ai teksa theksoi se institucionet kanë tre ditë që thonë edhe pak edhe vjen uji në darkë.
Lajmi kryesor:
‘Po na zë kolera’, vlonjatët 4 ditë pa ujë! Tensione para Bashkisë, letra higjienike e vezë policëve! Mersini: Sot vijnë 3 pjesë nga Turqia për defektin (VIDEO)








