Një operacion i SPAK-ut dhe Policisë së Durrësit çoi në pranga Ergys Agasin, biznesmenin e shpallur në kërkim prej 8 muajsh për llogari të SPAK-ut, për dosjen me abuzimet me tenderët e AKSHI-t. Agasi ishte duke udhëtuar me një mjet tip Audi luksoz, nga Elbasani në drejtim të qytetit bregdetar të Durrësit, aty ku ka edhe vendbanimin.
Forcat Operacionale dhe Policia e Durrësit e kishin pikasur makinën e Agasit që në qytetin e Elbasanit dhe, siç thonë burimet për Report Tv, e kanë ndjekur atë për të paktën 40 kilometra, deri në zonën e Plepave në Durrës. Aty u ndërhy për arrestimin e tij, ndërsa në makinë ndodhej po ashtu edhe ish-polici i shpallur në kërkim, Uljan Shpataraku.
Kur Ilir Proda u emërua drejtor i Përgjithshëm, e transferoi Shpatarakun pranë vetes, në Drejtorinë e Përgjithshme, por burime mediatike e identifikonin Shpatarakun ende me ndikim në hije në drejtimin e Policisë së Elbasanit.
Në Drejtorinë e Përgjithshme Uljan Shpataraku ka mbajtur detyrën e asistentit në Departamentin e Teknologjisë së Informacionit në Policinë e Shtetit. Ka pasur gjithashtu pretendime publike mediatike dhe politike që e lidhin edhe influencën e Ergys Agasit me Elbasanin dhe ndikim në politikën lokale të këtij qyteti.
Lajmi kryesor:
DOSJA AKSHI/ Ergys Agasi arrestohet në Durrës, u ndoq për 40 km që nga Elbasani! Kapet në makinë me ish-policin në kërkim, i besuari i Ilir Prodës! VIDEO kur e prangosin









