40 raste të reja me kancer gjiri janë regjistruar gjatë këtij viti në qarkun e Lezhës, ku grupmosha më e prekur është ajo mbi 50 vjeç, por nuk mungojnë rastet edhe te gratë më të reja.

Sipas të dhënave zyrtare të shërbimit onkologjik, gjatë këtij viti është regjistruar vetëm një rast vdekjeje nga kjo sëmundje.

Mjekja onkologe Bardha Gjoni thotë se rritja e sensibilizimit dhe kryerja e kontrolleve mjekësore kanë ndikuar në diagnostikimin më të hershëm të kancerit të gjirit.

Gjoni u bën thirrje grave dhe vajzave të kryejnë kontrolle periodike, duke theksuar se zbulimi i hershëm i sëmundjes rrit ndjeshëm mundësitë për trajtim të suksesshëm.

Gjatë muajit tetor, i cili i kushtohet ndërgjegjësimit për luftën kundër kancerit të gjirit, gratë dhe vajzat në Lezhë kanë mundësi të kryejnë mamografi gjashtë ditë në javë, me synim parandalimin dhe zbulimin sa më të hershëm të sëmundjes.