Një 43-vjeçar në Vlorë ka rënë në prangat e Policisë, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj një efektivi të Policisë Bashkiake për shkak të detyrës.

Përmes një njoftimi, Policia bën të ditur se konflikti ka nisur pas vendosjes së një gjobe për parkim të gabuar nga ana e policit 28-vjeçar, ndaj automjetit të 43-vjeçarit.

Ndërkohë materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Vlorës për veprën penale “Goditje për shkak të detyrës”.

Njoftimi i Policisë:

Vlorë-Arrestohet në flagrancë një 43-vjeçar pasi ushtroi dhunë fizike ndaj një punonjësi të Policisë Bashkiake për shkak të detyrës.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë arrestuan në flagrancë për veprën penale "Goditja për shkak të detyrës" , shtetasin M. L., 43 vjeç, banues në Vlorë.

Sot, rreth orës 10:55, në rrugën “Mitaq Salati”, në lagjen “15 Tetori”, Vlorë, për shkak të vendosjes së një mase administrative ndaj automjetit të tij për parkim të gabuar, shtetasi M. L ka ushtruar dhunë fizike ndaj punonjësit të Policisë Bashkiake Vlorë, shtetasit S. N., 28 vjeç, banues në Vlorë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë Vlorë për veprën penale “Goditje për shkak të detyrës”.

------------------------------------------------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë