Vazhdimi i qeverisjes së Prishtinës me premtime të pambajtura, si ai për 45 ditëshin e punimeve për ndërtimin e rrethrrotullimit në fund të Veternikut, çon drejt degradimit të mëtejmë, e jo zhvillimit të qytetit. Ky model qeverisës duhet të ndryshojë.

Dy ditë para 9 korrikut të sivjetmë, Komuna e Prishtinës njoftonte qytetarët për mbylljen e magjistrales Prishtinë-Ferizaj, pasi që në këtë segment po fillonte ndërtimi i rrethrrotullimit në fund të Veternikut. Sipas njoftimit zyrtar, nga kjo datë, rruga do të qëndronte e mbyllur 45 ditë.

Këtë të premte u mbushën rrafsh 60 ditë që kur punimet nisën, por rruga vazhdon të jetë e bllokuar e punimet vazhdojnë. Kushedi deri kur.

Është ky vetëm një shembull i qeverisjes së Isa Mustafës dhe LDK’së në Prishtinë. Një shembull i keq se si një projekt fillon së realizuari mu në kohën kur qarkullimi në komunikacion është më i denduri në vit dhe ai projekt nuk përfundon sipas premtimit.

Është ky një shembull se si Komuna e Prishtinës i trajton qytetarët dhe sa ua vështirëson jetën, në vend që t’ua lehtësojë.

Shembuj të tillë keqmenaxhimi gjen sa të duash gjatë qeverisjes gjashtëvjeçare të Isa Mustafës dhe 13 vjeçare të LDK’së në Prishtinë. Në vend se në metropol, kryeqyteti është shndërruar në “kaospol” - në një qytet kaotik që ka shkuar drejt degradimit, e jo zhvillimit në shumë aspekte.

Gjatë gjithë këtyre viteve në pushtet, LDK nuk ia ka dalë ta organizojë si duhet madje as trafikun urban në Prishtinë, ndërkohë që kryeqyteti vazhdon të përballet me probleme kryesore, si planifikimi urban, mungesa e parkingjeve, mungesa e infrastrukturës elementare në shumë lagje të reja etj. Për më tepër, Prishtina është kthyer në një qytet të shëmtuar, me ndërtime shumëkatëshe vend e pa vend, duke zhdukur lagje të bukura e hapësira të tëra të gjelbëruara. Punët që janë bërë, ndërkaq, si shtrimi i rrugëve, në të shumtën e rasteve janë të cilësisë së dobët.

* * *

Deri në 3 nëntor, Isa Mustafa ka më shumë se 45 ditë për të bërë fushatë. Rrugë të tëra nëpër kryeqytet janë gërryer për t’u asfaltuar sërish e disa projekte po stërzgjaten, në mënyrë që shiriti t’u prehet sa më afër ditës së zgjedhjeve.

Mustafa zgjodhi të kandidojë sërish për kryeqytetin nga frika se me kandidimin e dikujt tjetër do ta humbasë atë dhe bashkë me të, do ta dëmtojë fort edhe LDK’në, kryetar i së cilës është. Por, në garë me kandidatët tjerë, ai nuk mund të ndihet rehat dhe do ta ketë zor t’ua mbush mendjen edhe njëherë prishtinasve që t’i besojnë.

Ka ardhur koha që qytetarët e Prishtinës të mos votojnë symbyllazi për partinë, por për kandidatin dhe programin që ua zgjidhë problemet, të cilat ua nxijnë jetën. E kësaj radhe, zgjedhje ka mjaft.

Agim Çeku mund të mos jetë zgjedhja më e mirë e PDK’së, por është kandidat që duhet konsideruar në garë. Lëvizja Vetëvendosje nuk do të mund të zgjidhte kandidat më të mirë se Shpend Ahmetin, ashtu siç dhe AKR’ja Korab Sejdiun. Besnik Tahiri i AAK’së është treguar më i përkushtuari deri më tash, duke bashkëbiseduar me ta dhe dëgjuar qytetarët gjithandej qytetit tash sa muaj, ndërkohë që Valon Murati i Lëvizjes për Bashkim është kandidat serioz dhe mjaft atraktiv.

Dikush mund të thotë se beteja për kryeqytetin është një betejë ndërmjet të rinjve dhe një plaku, por garën nuk duhet parë kështu.

Gara për Prishtinën duhet parë si garë vlerash që do të ofrojnë kandidatët, si garë vizionesh, planifikimesh e zgjidhjesh praktike të problemeve.

Garën për Prishtinën duhet parë si garë konceptesh për zhvillim e jo degradim të mëtejmë, si garë idesh të realizueshme për përmirësimin e cilësisë së jetesës në kryeqytet, si garë planesh për ndërprerjen e kaosit urbanistik e urban.

Nëse Isa Mustafa premton si model të qeverisjes edhe mandatin e ardhshëm Prishtinën si është sot, atëherë do të duhej të ndiheshin të shqetësuar jo vetëm qytetarët, por edhe militantët më fanatikë të partisë së tij. Thjesht për faktin se modeli është treguar i gabueshëm dhe joefikas.

Mustafa me këtë Prishtinë nuk është alternativa e duhur.

* * *

Përtej kalkulimeve partiake e politike, është koha e fundit që qytetarët, me votën e tyre, t’i japin fund qeverisjes së LDK’së në kryeqytet. Ndërrimi i pushtetit do të jetë i shëndetshëm për të gjithë dhe Prishtina më nuk do të shihej si një feud a bastion i një partie, që mendon se e ka në pronësi të përjetshme.

Isa Mustafa në pronësi mund t’i ketë vetëm premtimet e pambajtura, si ai për 45 ditëshin e punimeve në fund të rrugës së Veternikut.

Për fundin e rrugës së tij të qeverisjes në Prishtinë duhet të vendosin qytetarët. Ndryshe, përralla për Prishtinën metropolitane vazhdon dhe rruga do të jetë e gjatë. E gjatë dhe vështirë e përfunduar. Si Rruga B, me të cilën u bë përrallë.

Marrë nga Gazeta Express