48 orë pas paktit, Rama sulmon
PD-në: Rrezik i madh për vendin

48 orë pas paktit, Rama sulmon<br />PD-në: Rrezik i madh për vendin
DEVOLL- Rreth 48 orë pas nënshkrimit të marrëveshjes me kryetarin e PD, Lulzim Basha, kryeministri Edi Rama sërish ka rezerva për opozitën. 

Sipas tij, PD ka mungesë vizioni dhe nuk di të bëjë shtet.

Nga Devolli ku mori pjesë në një takim me fermerë të fshatit Progër, kreu i qeverisë theksoi se çdo hap pas në 25 qershor, do të ishte katastrofik për vendin dhe do të rrënonte të gjitha reformat e arritura në tre vite e gjysmë. 

"Jemi në kushte krejt të ndryshme nga 48 orë më parë pas marrëveshjes me PD. Tashmë do shkojmë në zgjedhje me programin tonë, me skuadrën tonë dhe do kemi përballë PD, pavarësisht se ka hyrë në zgjedhje, është një rrezik shumë i madh për vendin, për shkak të mungesës së skuadrës, vizionit dhe aftësisë për të bërë shtet. 

Do të ishte katastrofike çdo kthim pas.

Në tre vite e gjysmë kemi bërë më shumë se në çerekshekulli.

Nëse marrëveshja që kemi bërë uroj e shpresoj të funksionojë, për të cilën asnjë nga ata që rrinë në TV nuk flet, por çorodit njerëzit kot, që lidhet me domosdoshmërinë për të mos ngatërruar si e kemi bërë luftën e vërtetë politike me kacafytjen e njerëzve me njerëzve, baltën e sharjet, por të hyjmë në një fazë ku jemi kundërshtarë, e kemi 1001 gjëra për të cilat s’bëhemi dot bashkë, ama në fund të ditës jemi përfaqësues të popullit dhe nuk na ka borxh asnjë prind, socialist apo demokratë, që sa herë del Kuvendi në TV të vënë pullë të kuqe e të heqin fëmijët sikur është film pornografik.

Sheh Saliun në TV fëmija e thotë ca më thotë mua prindi, e bam e bum, shkatërrim i madh i një lufte pa sens, unë shpresoj shumë që kjo pjesë të funksionojë",
u shpreh Rama. 

Edhe pas marrëveshjes, Edi Rama po e mban reformën në drejtësi si pikë kyçe të fushatës duke e cilësuar si realizim të objektivit më të vështirë të mandatit qeverisës.

“Vettingu u bë. A ju thashë që do ta bëjmë? Do votohet dhe do ta votojnë të gjithë, siç votuam dhe ndryshimet kushtetuese në fund fare”, shprehet Kryeministri.

Rama insiston: PS merr 71 deputetë në 25 Qershor
Duke iu referuar rezultatit të zgjedhjeve, Rama përsëriti se PS do marrë 71 mandate. Ai tha se të gjithë duan të dalin të parët në këto zgjedhje, sikurse edhe LSI e PD. 

"Të gjithë duan të dalin të parët, LSI do të dalë e para, PD do të dalë e para. Ne jemi të parët, nuk kemi nevojë të dalim të parët.

Por ne do luftojmë me mish e me shpirt që të gjithë reformat dhe gjithçka që ne kemi bërë e duam të bëjmë, të vazhdojnë, e në radhë të parë që vendi të mos kthehet pas. Të marrim 71 vota minimumi",
tha Rama.

"Duhet të dalim nga kjo betejë të sigurt që gjërat nuk kthehen më pas. Kjo gjë vlen dhe për demokratët. Demokratëve iu dhamë mundësinë të jenë bashkë me ne, iu dhamë dorën dhe shumë mirë bëmë", theksoi kreu i qeverisë.

"Iu dhamë dorën, demokratët të na votojnë"
Kreu i qeverisë ftoi dhe demokratët që të votojnë PS-në në këmbim të kompromisit që shumica i dha opozitës. 

"Kush ndjehet më mirë, ai që e jep dorën, apo ai që e shtyn dorën? Lum ai që jep dhe jo ai që merr. Edhe demokratët duhet ta garantojnë këtë proces për votën e tyre, për fëmijët e tyre. S'mund t'iu thoja votoni PS-në kur ata ishin jashtë, por tani që ne treguam se jemi ndryshe, se jo vetëm bëjmë kompromise por pa shkelur ligjin dhe Kushtetutën, ata si pjesë e popullit kanë një borxh të vogël të na japin votën. Pas asaj që ndodhi para 48 orëve, gjithçka mund të ndodhë në këtë vend", tha ai. 

PD s'ka vizion? Reagon selia blu: Ja premtimet për Republikën e Re
Pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama nga Devolli se opozita nuk ka vizion për të bërë shtet ka ardhur reagimi i PD.

Përmes një deklarate thuhet se Partia Demokratike ka një projekt të realizueshëm dhe ambicioz që do të transformojë bujqësinë dhe do nxjerrë zonat rurale nga varfëria.

150 milionë euro do të investohen cdo vit në këtë sektor. 100 milionë euro në formën e subvencioneve direkte për çdo familje fermere bazuar vetëm mbi prodhimin e tyre.

50 milionë euro investime në infrastrukturë si vaditje dhe kullim, rregullim tregjesh dhe siguri ushqimore.

Sipas PD, me 25 qershor, kur fermerët shqiptarë së bashku me qytetarët në mbarë Shqipërinë do t'i japin fund me votën e tyre të lirë, Republikës së Vjetër që i zhvati, mashtroi dhe varfëroi dhe do të votojnë për projektin kombëtar të Republikës së Re, Republikës së qytetarëve.

Deklarata e plotë e PD:

"Pasi i braktisi për 4 vite fermerët shqiptarë, pasi ndërtoi një narko-shtet dhe vendosi gjithcka në shërbim të miqve dhe klientelës, Edi Rama predikon sot mashtrime të reja.

Në 4 vite, Edi Rama nuk bëri asnjë investim në infrastrukturë dhe mijëra hektarë u përmbytën rregullisht duke sjellë pasoja katastrofike për prodhimin e fermerëve.

Në 4 vite, numri i përfitueseve nga skema e subvencionit është ulur mbi 5 herë. Përfituan cdo vit vetëm 14 tregtare, kliente të qeverisë që morën mbi 70% të buxhetit të bujqësisë.

Cmimet për imputet bujqësore u rritën deri në 30%.

Cmimi i naftës u rrit me 30 përqind.

Partia Demokratike ka një projekt të realizueshëm dhe ambicioz që do të transformojë bujqësinë dhe do nxjerrë zonat rurale nga varfëria.

150 milionë euro do të investohen cdo vit në këtë sektor.

100 milionë euro në formën e subvencioneve direkte për cdo familje fermere bazuar vetëm mbi prodhimin e tyre.

50 milionë euro investime në infrastrukturë si vaditje dhe kullim, rregullim tregjesh dhe siguri ushqimore.

Prodhimet e fermerëve shqiptarë do të mbrohen përmes tarifave doganore nga importet e oligarkëve të Ramës.

Kjo do të ndodhë me 25 qershor, kur fermerët shqiptarë së bashku me qytetarët në mbarë Shqipërinë do t'i japin fund me votën e tyre të lirë, republikës së vjetër që i zhvati, mashtroi dhe varfëroi dhe do të votojnë për projektin kombëtar të Republikës së Re, Republikës së qytetarëve
", thuhet në deklaratën e PD. 

Banori: Fitore PS në 18 Qershor Rama: S'të paska ardhur lajmi...
Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një bashkëbisedim me fermerë të fshatit Progër në Devoll, në vijim të turit elektoral në Qarkun e Korçës, ndërsa nuk munguan as batutat. 

Një prej banorëve thirri me zë të lartë fitore PS-së në 18 qershor, ndërsa Rama iu përgjigj se ende s'e paska marrë lajmin se zgjedhjet janë në datën 25. 

Batutat pati edhe për shtrëngimin e duarve mes Ramës dhe Bashës apo dhe momenti kur një banore i drejtohet Ramës me fjalën "krye zoti ministër". 

Batutat e plota 

Banori: 
Fitore Partisë Socialiste në 18 qershor.
 
Rama: Ulu, ulu se s'të paska ardhur lajmi, se nuk janë në 18 qershor, por me 25. Por me një ndryshim se në 18 qershor do fitonim vetëm. Në 25 do fitojmë duke i mundur kundërshtarët, por ndërkohë, duke krijuar kushtet që të fitojnë të gjithë shqiptarët.
 
Fermer: I shtrëngove dorën Bashës kur dolët jashtë.
 
Rama: Bëmë mirë që ia dhamë dorën. Pse ç'a ka. Lum kush jep, jo lum kush s’jep. Kështu thonë. Tani e kanë për borxh të na japin votën.
 
Banor: Ku të japin votë ata...
 
Rama: Ku të japin votë ata?! Pas asaj që ndodhi 48 orë më parë, gjithçka mund të ndodhë në këtë vend.  
 
Banore: Përshëndetje 'krye zoti ministër' dhe faleminderit që erdhe në fshatin tonë.
 
Rama: Kjo 'krye zoti ministër' më pëlqeu.
 
Banore: Më falni!
 
Rama: E bukur, e bukur.
 
Banore: Kthehem pas 20 vitesh në atdhe, kam qenë në emigracion.

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindja në Tiranë/ koncerti i Merita Halilit elektrizon sheshin 'Skënderbej', kthehet në pistë vallëzimi

Krishtlindja në Tiranë/ koncerti i Merita Halilit elektrizon sheshin 'Skënderbej', kthehet në pistë vallëzimi