Prokuroria ka kërkuar gjithsej 93 vite e 6 muaj burg për grupin e akuzuar për trafikun e kokainës nga Amerika Latine drejt Shqipërisë, të fshehur në ngarkesa me lëkurë kafshësh.

Për Artion Çaushllarin është kërkuar dënimi me 15 vite burg, për Aldi Zonjan 14 vite, ndërsa nga 14 vite janë kërkuar edhe për Geis Sejfullain, Ismajl Abdurrahmanin, Jose Ramon Zacarias Vasquez dhe Samuel Alfonso Moreno Serrano.

Për Klajd Birçen është kërkuar dënimi me 13 vite burg, për Endi Sejdinin 12 vite, ndërsa për Baki Huqin 10 vite burg.

Pas aplikimit të gjykimit të shkurtuar, dënimet përkatëse janë 10 vite për Artion Çaushllarin, 9 vite e 4 muaj për Aldi Zonjan dhe katër të pandehurit e tjerë të dënuar me 14 vite, 8 vite e 8 muaj për Klajd Birçen, 8 vite për Endi Sejdinin dhe 6 vite e 8 muaj për Baki Huqin.

Hetimi për trafikun e kokainës nisi pas informacioneve të marra mbi laboratorin e drogës në Frakull të Fierit, ku pranë banesës së ish-funksioniarit vendor Viktor Çervanaku, u zbuluan nga policia një sasi e madhe droge e llojit kokainë prej 485 kg, e fshehur në plehra kimikë.

Nga hetimet e mëtejshme, SPAK dyshon se grupi kriminal kishte ngritur një skemë të trafikut të drogës nga Amerika Latine drejt Shqipërisë, duke përdorur kompaninë “Alb Lëkurë” për të kamufluar importin e ngarkesave me lëkurë gjedhësh.

Në maj të vitit 2024, kompania kreu një pagesë prej 23 mijë dollarësh ndaj një firme në Republikën Domenikane, për porositjen e 24 tonëve lëkurë gjedhësh të konservuara me kripë. Ngarkesa, e ndarë në 20 paleta, u nis drejt Portit të Durrësit më 17 korrik 2024 dhe pas procedurave doganore u transportua në një magazinë në Mullet. Ndërkohë, në shtator u porosit një tjetër ngarkesë prej 24 tonësh, e cila mbërriti në Durrës më 8 nëntor, me një pagesë prej rreth 20 mijë dollarësh.

Sipas SPAK, grupi dispononte gjithashtu një laborator për përpunimin e kokainës në Qerekë të Krujës dhe dy ambiente mbështetëse në Tiranë dhe Durrës. Hetuesit dyshojnë se aktiviteti i grupit nuk kufizohej vetëm në trafikun për llogari të tij, por se nga laboratori mund të jenë nxjerrë sasi kokaine edhe për grupe të tjera kriminale.