LEZHE- Pas 5 vitesh hetime nga autoritetet shqiptare dhe ato Italiane, Autor Deda dhe Dodë Prela janë arrestuar në Lezhë pasi kishin krijuar një rrjet të gjerë të trafikut të drogës. Në kërkim janë shpallur edhe R. M. që siguronte tregun për shitjen e lëndës narkotike në Itali dhe G. K. që magazinonte drogën.

Report TV mëson se njëri nga të arrestuarit Autor Doda, është tregtar peshku në zonën e Lezhës, ku administronte disa varka në Ishull-Lezhë. Njëkohësisht me biznesin e peshkut, Autor Doda dhe Dodë Prela financonin edhe blerjen e drogës dhe më pas nisjen e saj drejt Italisë duke e shitur me një çmim shumë të lartë.

autor

Dy drejtuesit e këtij rrjeti droge kamufloheshin nëpërmjet bizneseve të peshkut që kishin në zonë, por prej 5 vitesh ishin në përgjim, ku u zbulua edhe mënyra se si funksiononte grupi. Gjatë përgjimeve është zbuluar se kanabisi blihej në zonat e thella të Lezhës e Fushë-Krujës, më pas magazinohej dhe bëhej gati për transport drejt Italisë. Tre personat që bwnin transportin me skaf ishin L. M., E. Z. dhe J. Ll., të 3 të ndaluar.

Më pas në Itali drogën e merrte përsipër ta magazinonte G. K., ndërkohë që R. M. gjente tregun për shitje, po në Itali.

“Nga hetimi disa vjeçar, i cili është shtrirë në Shqipëri dhe Itali, si rezultat i bashkëpunimit të ngushtë mes partnerëve ligjzbatues, është bërë e mundur që në periudha të ndryshme kohore, këtij grupi kriminal i janë sekuestruar sasi të konsiderueshme lëndë narkotike e llojit marijuanë, të trafikuara nga Shqipëria në drejtim të Italisë, në rrugë detare”, bën me dije Prokuroria e Krimeve të Rënda.

Po kështu disa persona janë arrestuar vitet e fundit si pjesë e këtij grupi.

Sipas Policisë operacioni “Overseas” vijon, ku po hetohet për persona të tjerë të lidhur me këtë rrjet trafiku ndërkombëtar droge.

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com