Edhe pse sot bëhen 5 vite nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, rindërtimi i vendit ende vijon. Janë më shumë se 11 mijë familje që kanë marrë çelësat e banesave të reja, ndërkohë që me dhjetëra familje të tjera presin ‘strehim’ në shtëpinë e premtuar në lagjet e reja të rindërtimit në Vorë dhe Tiranë, puna për të cilat ende vijon. Por rindërtimi vijon edhe në bashkitë e tjera, në strukturat arsimore, shëndetësore apo edhe pallate të tjera.

Që nga fillimi i procesit të rindërtimit në vitin 2020, e deri më tani janë dorëzuar 5524 banesa individuale dhe 6139 apartamente të reja sipas të dhënave të Ministrisë së Infrastrukturës, e cila ka marrë përsipër edhe procesin e rindërtimit pas shkrirjes së ministrisë dedikuar këtij programi.

Rindërtimi i vendit i ka kushtuar buxhetit të shtetit deri më tani mbi 920 milionë euro, ndërkohë që kostoja do të rritet deri në fund të vitit 2026-të kur është planifikuar të përmbyllet ky proces. Për 2 vitet e ardhshme 2025-2026 janë planifikuar të shpenzohen 100 milionë euro për këtë rindërtimin.

Shifrat e institucioneve zyrtare tregojnë se rindërtimi i banesave është financuar kryesisht nga buxheti i shtetit, ndërsa nga fondet 1.15 miliardë euro të konferencës së donatorëve të mbajtur në Bruksel janë marrë vetëm projektet e BE-së të përqendruara më së shumti nëpër objektet arsimore dhe kulturore, dhe pjesën e banesave ta mbulojë me fonde të buxhetit, pa përfshirë 524 apartamente të financuara nga Turqia dhe pjesën e apartamenteve të ndërtuara nga Emiratet Arabe.

Dëmet e shkaktuara nga tërmeti kërkonin investime në vlerën 1 miliardë e 80 milionë euro ku mbi 800 milionë euro ishin vetëm dëmet për strehim.

FATURA E RINDËRTIMIT
Shpenzuar            920 mln euro
Pa shpenzuar        280 mln euro
Kostoja totale       1.2 mld euro