SHBA- Për Xhudin dhe Xherin, njohja e tyre ka qenë një rastësi e bukur. Ata u njohën në Festivalin e Udstokut, 50 vite më parë, ku Xhudi, sot 71 vjeç, e takoi Xherin pikërisht në ditën e parë të festivalit, kur makina e saj u prish rreth 150 km larg koncertit. Ajo dhe dy të njohur vendosën të bëjnë autostop që të mbërrinin në vendin ku bëhej koncerti.
Xheri dhe miqtë e tij ndaluan me makinën e tyre dhe Xhudi kishte pranuar të ngjitej pasi kishte parë një vajzë tjetër brenda në makinë dhe ishte ndier më e sigurt. 72-vjeçari Xheri thotë për "Explore People", që ishte ndierë me fat kur në makinë hipi Xhudi, pasi ai kishte tendë me vete, ndërsa ajo jo dhe mund ta ftonte që të njiheshin më mirë. Të rinjtë mblidheshin për ditë të tëra në fushën e madhe, rrinin në tenda, duke ngrënë e duke pirë, vetëm për të dëgjuar grupet e tyre të preferuara bashkë me shoqërinë.
Për 50 vite ata u kanë treguar miqve dhe familjarëve se si ishin njohur në festivalin e Udstok në vitin 1969, ditën e parë që u hap dhe që atëherë kanë qenë gjithnjë bashkë. I vetmi pendim që kishin ishte mungesa e një prove për njohjen e tyre. Por 50 vite më pas, fati u troket në derë dhe rastësisht gjejnë foton që ua kishte bërë dikush tjetër para 50 vitesh, pasi Festivali i Udstokut festoi 50 vjetorin më 15 Gusht të vitit 2019. Pasi u hap, ai mori përmasa të stërmëdha duke mbledhur shumë dashamirës të muzikës, e duke u bërë kështu festivali më i famshëm në histori.