Bashkia
Kryetari i Bashkisë së Tiranës ka vendosur kurora me lule në varrezat e dëshmorëve në përkujtim të 68 vjetorit të luftës së madhe në kryeqytet dhe çlirimit të Tiranës nga nazifashistët.
Duke e vlerësuar kontributin e dëshmorëve që dhanë jetën për lirinë e vendit, Basha tha se nderimi i atyre burrave dhe grave është një detyrim ndaj tyre, por dhe një shembull i mirë për edukimin e brezave të ardhshëm, për tu treguar se ata që vdesin për atdheun nuk vdesin kurrë. "Në këtë 100-vjetor, unë uroj si Kryetar i Bashkisë së Tiranës, që sakrifica e atyre që ranë për çlirimin e kryeqytetit, të shërbejë si një burim frymëzimi për bashkim dhe jo për përçarje", ka deklaruar dje te varrezat e dëshmorëve kreu i bashkisë Lulzim Basha. Ai ka nënvizuar se duhet të mos përsëriten gabimet e së shkuarës dhe të bashkohen në funksion të mirëqenies së gjithë shqiptarëve. "Sot, kur një pjesë e ëndrrave dhe idealeve të tyre për një Shqipëri demokratike, të përparuar, evropiane janë realizuar apo janë pranë realizimit, detyra jonë është të mos përsërisim gabimet e së shkuarës por të bashkohemi të gjithë për t'i dhënë qytetit tonë, vendit tonë, popullit dhe kombit tonë atë që meriton", tha Basha.
Opozita
Nga ana tjetër këshilltarët e PS e qindra qytetarë janë mbledhur në sheshin pranë Ushtarit të Panjohur simbol i ditës së çlirimit të Tiranës, ku pasi kanë nderuar të gjithë dëshmorët, kanë bërë thirrje për mosndryshim të historisë dhe fakteve të saj. Kështu,
kryetari i PS-së së Tiranës, Saimir Tahiri, deputetët e kësaj partie Gjermeni, Hysi, Xhafaj, Gjoni e Shalsi, si dhe drejtues socialistë të pushtetit vendor kanë marrë pjesë në ceremoninë përkujtimore. Në emër të PS përshëndeti ceremoninë përkujtimore, Aldrin Dalipi, kryetar i grupit të Këshilltarëve socialistë në Këshillin Bashkiak të Tiranës. "17 Nëntori është një ditë e madhe, një ditë historike, një nga momentet kur secili prej nesh qytetarë të rinj, të moshuar, të gjithë brezat reflektojnë mbi të shkuarën dhe të ardhmen mbi përpjekjet dhe sakrificat njerëzore deri në humbjen e jetës në emër të një kauze të madhe, në emër të mbrojtjes të çdo centimetri të territorit shqiptar kundër një prej diktaturave më të egra pushtuese në botë, nazifashizmit", tha Dalipi. Sipas tij diktaturat dhe diktatorët shfaqen kudo të njëjtë pasi ata jetojnë mes vrasjeve, shkaktimit të dhimbjes, përçarjes mes popujve, kulturave e punojnë përherë kundër demokracisë e lirisë. deputetët Gaçi e Qefalia kanë marrë pjesë në ceremoninë përkujtimore të zhvilluar në qytetin e Vorës. Ndërsa më pas PS ka zhvilluar një simpozium të zgjeruar me rastin e 68 vjetorit të çlirimit të kryeqytetit nga nazi-fashistët.
Shkrimi u botua në numrin e sotëm të së përditshmes SHQIPTARJA.com (E Dielë, 18 Nëntor)
(Gre.M/SHqiptarja.com)