Pas lajmit se 600 shqiptarë do të udhëtonin drejt Gjermanisë, për të kërkuar azil, pasi ishin mashtruar nga një agjenci udhëtimesh, ka reaguar dhe ambasada e këtij vendi. Në një deklaratë nga Ambasada Gjermanisë në Tiranë theksohet se po ndiqet me shqetësim emigrimin ilegal i shqiptarëve, i cili prej një viti është në një nivel shumë të lartë.

“Të gjithë ata, të cilët çojnë ndër mend të paraqesin kërkesë për azil në Gjermani, duhet të dinë se: Kushtetuta dhe ligjet e shtetit tonë parashohin të drejtën për azil për t’ju ofruar mbrojtje qytetarëve, të cilët janë të kërcënuar nga përndjekja në vendet e tyre të origjinës. Por në të kundërtën, kush dëshiron t‘i shpëtojë një situate të vështirë ekonomike, nuk ka të drejtë për azil. Thashethemet, sipas të cilave, për shtetasit shqiptarë ekzistojnë shanset për të përfituar azil politik dhe mundësitë për t’u punësuar, janë të pavërteta”, theksohet në reagimin e Ambasadës gjermane në Tiranë.

Në reagim theksohet se kërkesat për azil të shqiptarëve në Gjermani ose në një shtet tjetër anëtar të Bashkimit Evropian praktikisht refuzohen në shumicën dërrmuese të rasteve.

“Ne jemi të vetëdijshëm për gjendjen e vështirë ekonomike të shumë njerëzve nëShqipëri. Në kuadër të bashkëpunimit bilateral, së bashku me partnerët tanë në Bashkimin Evropian, ne e mbështesim Shqipërinë për përmirësimin e kushteve të jetesës të të gjithë qytetareve dhe qytetarëve të saj dhe për të për të ecur përpara në procesin e përafrimit në EU. Zgjidhja për shtetasit shqiptar, që kanë nevojë për mbrojtje, nuk qëndron në një procedurë pa shpresë azilkërkimi në Gjermani, por në një jetë më të mirë në Shqipëri dhe në një Shqipëri me të ardhme evropiane”, theksohet në reagimin e ambasadës gjermane në Tiranë.



Redaksia Online
(g.f//Shqiptarja.com)