613 kg kokainë, Rama: Nuk kishte
sinjalizim nga vendet europiane

613 kg kokainë, Rama: Nuk kishte<br />sinjalizim nga vendet europiane<br /><br>
Kryeministri Edi Rama ka reaguar për sekuestrimin e sasisë rekord të kokainës prej 613 kg në Durrës. Rama e cilëson operacionin si një hap të madh në përballjen kundër krimit, ‘operacion shembullor me domethënie të madhe’.

Operacioni për Ramën ka një domethënie për integritetin e strukturave ligjzbatuese, ndërsa shton se kokaina ishte destinuar për tregun evropian. Shefi i qeverisë shqiptarë shprehet se “operacioni është zhvilluar i gjithi në territorin e vendit, pa asnjë sinjalizim nga vendet europiane ku ngarkesa ka udhëtuar përpara se sa të hynte në portin e Durrësit.

Me marrjen e sinjalizimit të parë nga Hetimi Doganor, Policia e Shtetit është vënë menjëherë në lëvizje, falë pikërisht bazës së punës së përbashkët që është ndërtuar në funksion të garantimit të kontrollit rigoroz të portit të Durrësit, mes strukturave policore dhe hetimore
”. E ndërsa Rama u shpreh se nuk kishte asnjë sinjalizim nga vendet evropiane, ministri i Brendshëm, Xhafaj theksoi se superaksioni i Policisë së Shtetit ishte në bashkëpunim me agjencitë e tjera ligjzbatuese të huaja duke nënkuptuar DEA-n amerikane.

Sot në Durrës u sekuestruan 613 kg kokainë brenda një kamioni me targa DR 3819 E, i ngarkuar me banane të porositura nga kompania Arbri-Garden me qendër në Maminas të Durrësit. Kjo është sasia më e madhe e kokainës e kapur ndonjëherë në territorin shqiptar.

Deklarata e plotë e Ramës
Operacioni më i fundit i Policisë së Shtetit, kryer në bashkëpunim me Hetimin Doganor dhe Prokurorinë e Krimeve të Rënda, shënon një hap të madh përpara të shtetit tonë në përballjen me krimin e organizuar. Kapja e një sasie shumë të konsiderueshme kokaine, më e madhja e kapur ndonjëherë në vendin tonë, përmes ndërveprimit mes agjencive tona ligjzbatuese, ka një domethënie të plotë për vendosmërinë, gatishmërinë dhe aftësinë që po fitojmë dita-ditës në këtë përballje. Por padyshim shumë domethënëse, edhe për integritetin e strukturave tona ligjzbatuese. Të cilat në rastin konkret kanë sekuestruar drogë të fortë me një vlerë 180 milionë euro, nëse do të dilte në tregun europian për ku ishte e destinuar.

Edhe fakti që ky operacion është zhvilluar i gjithi në territorin e vendit, pa asnjë sinjalizim nga vendet europiane ku ngarkesa ka udhëtuar përpara se sa të hynte në portin e Durrësit, ka domethënien e rëndësishme të forcës ligjzbatuese që disponojmë sot, duke nisur nga pikat doganore. Puna e madhe që është bërë për të vendosur nën një kontroll rigoroz pikat doganore, duke filluar nga porti i Durrësit, ku edhe është krijuar një rrjetë efikase kontrolli mbi bazë risku, ka dhënë rezultate të vazhdueshme në aspektin doganor, por në këtë rast ka mundësuar edhe zanafillën e këtij operacioni spektakolar. Po ashtu, me marrjen e sinjalizimit të parë nga Hetimi Doganor, Policia e Shtetit është vënë menjëherë në lëvizje, falë pikërisht bazës së punës së përbashkët që është ndërtuar në funksion të garantimit të kontrollit rigoroz të portit të Durrësit, mes strukturave policore dhe hetimore. I menjëhershëm dhe efikas ka qenë edhe ndërveprimi mes Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë së Krimeve të rënda, çka ka siguruar përfundimin me sukses të plotë të operacionit.

Përgëzime të mëdha për të gjithë pjesëmarrësit në këtë operacion dhe për mesazhin e qartë që ky rezultat shembullor i luftës kundër krimit të organizuar u jep të gjithëve!

Përgëzime Policisë së Shtetit, që ka hyrë me vendosmëri e gatishmëri të lartë në fazën e re të luftës kundër krimit, ku Forca e Ligjit nuk është vetëm emri i një strukturë të posaçme antikrim, po një vijë sjelljeje e Policisë së Shtetit si e tërë dhe në çdo front. Përgëzime Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, që jo vetëm po garanton në vijimësi një rritje konstante të të ardhurave falë përmirësimit të vazhdueshëm të cilësisë së punës, por po rrit vijimësisht forcën goditëse kundër evazionit, kontrabandës e trafiqeve. Përgëzime edhe Prokurorisë së Krimeve të Rënda padyshim dhe uroj që hetimet e mëtejshme të kenë të njëjtin sukses si vetë ky operacion entuziazmues.

d.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Morën votëbesimin në parlament, dy ministrat e rinj Vengu dhe Hoxha bisedojnë me njëri-tjetrin

Morën votëbesimin në parlament, dy ministrat e rinj Vengu dhe Hoxha bisedojnë me njëri-tjetrin