TIRANE - Vetëm këtë fundjavë Policia e Shtetit ka ndaluar 66 persona për vepra të ndryshme penale, kryesisht armëmbajtje pa leje dhe drejtim i makinës në gjendje të dehur.
 
Policia ka sekuestruar 5 armë zjarri 2 kallashnikovë, 2 automatikë dhe 1 çifte, 1435 fishekë e 6  krehra me fishekë, 15 doza heroinë, dy doza kokainë dhe 220 doza marijuanë. Gjithashtu janë proceduar penalisht 5 persona që ushtronin aktivitet të lojërave të fatit pa licencë.
 
Nga Policia Rrugore janë pezulluar 66 leje drejtimi për pije alkoolike e shpejtësi tej normave të lejuara. Janë ndëshkuar për në komision 57 drejtues automjetesh, janë bllokuar 34 makina për mangësi në dokumentacion, si dhe janë vendosur 1233 masa administrative.
 
Gjatë kontrolleve intensive në të gjithë vendin në kuadër të planit të masave për rritjen e sigurisë në vend, policia ka ndaluar:
 
9 persona në kërkim
3 persona për armbajtie pa leje
11 persona për dhunë në familje
18 persona nga policia rrugore për drejtim mjeti në gjendje të dehur
9 persona në flagrancë për vjedhje
8 persona për krime ndaj personit e kundërshtim të punonjësit të policisë
8 persona për narkotikët,  krimin ekonomik e financiar, e kallzim të rremë
 
Kontrollet janë kryer për parandalimin e ngjarjeve kriminale, për kapjen e personave në kërkim, personave që qarkullojnë me armë, goditjen e trafikut të lëndëve narkotike,  parandalimin e aksidenteve rrugore si dhe goditjen në tërësi të paligjshmërisë.
 
Në zbatim të këtij plani masash janë angazhuar Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, Shqiponjat, Qarkullimi Rrugor, Patrullat e Përgjithshme, Antidroga, Krimi Ekonomik e Policia Kriminale.
 
Gjatë fundjavës janë zhvilluar kontrolle të shumta në të gjitha akset rrugore nacionale, në lokalet e natës dhe ato të lojërave të fatit, por edhe nga Policia Kufitare në Pikat e Kalimit,  në kufirin jeshil e blu.

Pamjet nga aksionet janë mundësuar nga Policia e Shtetit përmes kamerave në trupin e efektivëve të policisë.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)