TIRANE - Në muajin mars epiqendra e diskutimeve janë mësuesit, kjo jo vetëm për faktin se në 7 Mars është dita e tyre. Por edhe sepse dhuratat që ata marrin nga nxënësit sa vijnë e bëhen më të shtrenjta. Nëse dikur dhurata e 7 Marsit bëhej për respekt dhe ishte simbolike, sot ato bëhen më detyrim.

Bashkim Mërtiri, arsimtar prej 41 vitesh, shprehet se sot më bërjen e dhuratave ka një  teprim. “Nëse bëjmë një krahasim të festimeve të shumë viteve më parë dhe festimit që bëhen në ditët e sotme nuk është, ndryshim i madh parë në aspektin festiv.

Ajo që bën ndryshimin është se nxënësit dhe mësuesit ishin shumë të kujdesshëm. Dhurata është një simbol i mirënjohjes dhe i punës së mësuesit. Në 7 Mars nxënësit shprehin respektin e tyre për mësuesit. Ndërsa sot ka një  teprim në formën dhe mënyrën se si bëhen dhuratat.

Duke qenë se kam qenë drejtor shkolle për shumë vite, shpesh u thosha mësuesve që “Mos merrni dhurata që ulin figurën tuaj”. Kam dëgjuar që  mësuesve u behën dhurata deri të varëset, që nuk i shkojnë fare përshtat një mësuesi” shprehet Mërtiri.

Mësuesi i cili gjithë vitet e tij ja ka kushtuar edukimit të brezave shprehet se sot ka mësueses që ju kërkojnë dhurata nxënësve. “Sot në shkolla dhe në disa zona ka mësues, në një formë apo në një tjetër ja u kërkojnë dhuratat nxënësve. Për mua një mësues që merr nga nxënësi dhe kërkon dhurata, nuk mund të jetë mësues.

Ai në këtë mënyrë nuk edukon dhe nuk përmbush misionin e tij si mësues” thotë Bashkim Mërtiri. Arsimtari më tej thotë se në arsim ka shumë probleme dhe se niveli i mësueseve është shumë i ulët. Ndërsa në Tiranë thotë ai drejtuesit e shkollave janë të gjithë militantë të partisë në pushtet.

“Sot Arjan Bekteshi i ndërron drejtorët si ti dojë qejfi atij. Në Tiranë janë ndërruar më shumë drejtorë që nga viti 2006 deri në 2013, sesa nga viti ’45 deri në 2005. Ka një mish-mash të madh në arsimin e rrethit të Tiranës, kjo bëhet sepse të gjithë këta janë militantë të Partisë Demokratike” përfundon ai.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 07.03.2013

Redaksi Online
(b.m/shqiptarja.com)