7-vjetori i Shqipërisë në NATO,Basha:
Faleminderit atyre që na mbështetën

7-vjetori i Shqipërisë në NATO,Basha:<br />Faleminderit atyre që na mbështetën
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka falënderuar sot të gjithë vendet që mbështetën Shqipërinë në anëtarësimin e vendit tonë në NATO, në kuadër të 7-vjetorit të këtij vendimi.

Në një mesazh të përcjellë për të gjithë shqiptarët, Basha falenderon në mënyrë të veçantë Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mbështetjen shumë të madhe që i kanë dhënë Shqipërisë jo vetëm në këtë proces.

Basha ka shtuar se, ishte qeverisja e PD-së ajo që çoi në reofmrat e mëdha të cilat pasuan me anëtarësimin në NATO ku thekson se, PD i konsideron çështjet strategjike të sigurisë dhe mbrojtjes si tërësisht përtej interesave politike të ditës.

Por Basha ngre shqetësimin se, sipas tij, standardet e NATO-s janë përdhosur në këto tre vite veçanërisht në fushën e mbrojtjes me politizimin, shkarkimet e padrejta dhe emërimet korruptive e klienteliste tek forcat tona të armatosura.

Ja mesazhi i tij i plotë
Me rastin e 67 vjetorit të themelimit të NATO dhe 7 vjetorit të Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO
Në këtë ditë të shënuar për të gjithë vendet e Aleancës së Atlantikut të Veriut, dëshiroj të uroj mbarë shqiptaret për përvjetorin e anëtarësimit në NATO. 
Me këtë rast ju shpreh të gjitha vendeve anëtare dhe veçanërisht aleatit tonë strategjik, SHBA mirënjohjen më të thellë të mbarë shqi​ptarëve për mbështetjen e jashtëzakonshme që i kanë dhënë Shqipërisë, para, gjatë dhe pas anëtarësimit. 
Si Kryetar i PD shpreh krenarinë legjitime që në 8 vjet qeverisje kemi udhëhequr një proces historik reformash në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes, që u finalizuan me anëtarësimin në NATO (prill 2009), dhe me përmbushjen e angazhimeve teknike të anëtarësimit (shtator 2013).
Dua të nënvizoj pa asnjë mëdyshje se PD i konsideron çështjet strategjike të sigurisë dhe mbrojtjes si tërësisht përtej interesave politike të ditës.
Në këtë kontekst, shpreh shqetësimin por edhe angazhimin tim se do te bëjmë gjithçka të mundur për të ndalur prishjen e balancave kushtetuese; arrogancën e paprecedentë politike; mungesën e konsensusit; shpërdorimin propagandistik të burimeve, pronave dhe kapaciteteve të mbrojtje; uljen drastike të buxhetit me 50%, politizimin ekstrem të FA, dhe rrëshqitjen e Shqipërisë në fundin e listës së vendeve të NATO-s – ku fatkeqësisht e kanë katandisur pseudo reformat e dështuara në këtë fushë. 
Eshtë për të ardhur keq që standardet e NATO-s janë përdhosur në këto tre vite veçanërisht në fushën e mbrojtjes, ku jo vetëm kemi rënie të buxhetit nga 2 përqind që është kërkesë e Aleancës në 0.87 % të GDP, por ku paratë e shqiptarëve shpërdorohen në mënyrë skandaloze për luks zyrash, apo vidhen me tendera të korruptuar, siç ka zbuluar Kontrolli i Lartë i Shtetit.
Politizimi, shkarkimet e padrejta dhe emërimet korruptive e klienteliste kanë sjellë si rezultat rënie të gatishmërisë së forcave tona të armatosura, trafikun me avionë të drogës, rikthimin e skafeve dhe cënimin e sigurisë kombëtare.
Si kryetar i Opozitës, dëshiroj tu shpreh mbarë shqiptarëve angazhimin e PD dhe përkushtimin tim personal që në bashkëpunim me aleatët strategjikë, do të konsiderojmë prioritet në programin e PD-së, përgatitjen e një projekti kombëtar në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes.
Ky projekt përtej përmbushjes së detyrimeve në kuadër të NATO-s, do të fokusohet në strategji, projekte dhe kapacitete të afta të përballen me listën e rreziqeve si: “cënimi i stabilitetit të demokracisë, kriminalizimi i institucioneve, terrorizmi, krimi i organizuar, trafiqet, policimi ajror, rastet renegate, kriza financiare, emergjencat civile, siguria e mjedisit”, që kërcënojnë sot me shumë se kurrë me parë që nga lufta e ftohtë, sigurinë dhe prosperitetin e qytetareve, stabilitetin e shoqërisë dhe të interesat mbarëkombëtare shqiptare.

Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Rama me ambasadorët: Do doja që karrigia e Federatës Ruse të mos ishte bosh, viti tjetër sjelltë paqe në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme!

Rama me ambasadorët: Do doja që karrigia e Federatës Ruse të mos ishte bosh, viti tjetër sjelltë paqe në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme!