Agjencia spanjolle e lajmeve EFE, të cilës i referohet gjithashtu edhe televizioni spanjoll ABC, duke cituar gazetën shqiptare "Shqiptarja.com", kanë rrëfyer historinë e të moshuarit të vetmuar shqiptar, Hajdar Lila nga Fushë-Kruja (një qytet i vogël pranë Tiranës - thekson media spanjolle), i cili në ditën e ditëlindjes vendos një njoftim vdekjeje me foton dhe të dhënat personale.
"Që 4 vjet e gjysmë më parë, kur u ktheva nga Kanadaja, as bijtë e mi, as vëllezërit e mi, as kushërinjtë e mi kanë ardhur për një kafe në shtëpinë time", u ankua ai në shkrimin e botuar në të përditshmen “Shqiptarja.com”, theksohet në shkrimin e medias spanjolle.
I moshuari kishte kaluar shumë vite të jetës në Greqi dhe në Kanada, dhe siç thotë, u dërgonte shpesh para familjes së tij.
Ai kujton me nostalgji ato vite kur familja dhe shokët ishin shumë të sjellshëm me të, por me sa duket vetëm për paratë dhe dhuratat që janë dërguar nga jashtë.
"Sa isha në Kanada unë i ndihmoja të gjithë me të holla. Unë kam qenë i etur për t'u kthyer në vendin tim dhe të jetoj me të dashurit e mi. Por tani unë jam këtu dhe nuk kam para. Askush nuk do t'ia dijë për mua", qahet i moshuari.
Edhe kjo përpjekje e mjerë e fundit për t'u ribashkuar me familjen e tij s'ishte një sukses i madh, pasi vetëm vajza e tij e madhe shkoi në shtëpinë e tij, natyrisht jo për të festuar ditëlindjen e tij, por për të marrë pjesë në funeralin e pretenduar.
Pas kësaj përvoje, ai ka lënë një mesazh të qartë për ditën e vdekjes së tij të vërtetë: Nuk do pranoj askënd në varreza. "Njerëzit duhet të respektohet sa janë gjallë: i vdekur është e kotë", i thotë plaku me zemërim gazetës", thuhet në shkrimin e medias spanjolle, e cila citon gazetën shqiptare "Shqiptarja.com".
(Në Foto: Websiti i medias Spanjolle e cila ka citur Shqiptarja.com për këtë lajm)
Redaksia Online
(mag/a.ç/shqiptarja.com)